Hungari: Magjar do të dëbojë 'migrantët VIP' të Orbanit
Ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, Ziobro e të tjerë: Viktor Orbán-i u dha azil aleatëve politikë që përballen me probleme ligjore. Kjo do të marrë fund: kryeministri i ardhshëm, Peter Magjar, ka njoftuar se do t'i dëbojë ata, po nuk u larguan.
Kur intelektualët hungarezë e përshkruanin sistemin e kryeministrit të rrëzuar Viktor Orbán si 'mafioz', vëzhguesit e huaj prireshin t'i dëgjonin me skepticizëm. Megjithatë, gjatë gjashtëmbëdhjetë viteve, pati momente kur kjo ishte e vetëkuptueshme pa nevojë për fjalë. Një nga këto momente ishte në nëntor 2018, me arratisjennë Hungari të ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, shkruan DW.
Pak para se Gruevski, mik i Orbánit, të fillonte të vuante dënimin me burg për korrupsion, ai u arratis në Shqipëri. Nga atje, siç hulumtoi DW në atë kohë, diplomatë hungarezë e transportuan në mënyrë të paligjshme, në një operacion të shpejtë, përmes Malit të Zi dhe Serbisë drejt Hungarisë, ku atij iu dha menjëherë azil politik - në një vend ku, për shkak të politikës së rreptë të migracionit të Orbánit, refugjatët praktikisht nuk kishin asnjë mundësi për të marrë leje qëndrimi.
Vetëm njëri nga shumë të tjerë
Gruevski - i cili në vendin e tij të lindjes mbetet edhe sot simbol i pakundërshtueshëm i korrupsionit -ishte thjesht më i njohuri i një serie të tërë rastesh të ngjashme: nën sundimin e Orbán-it, Hungaria u bë një strehë e sigurt për shumë politikanë të afërt me kryeministrin, që po përballeshin me probleme ligjore për raste korrupsioni ose që ishin dënuar me vendime përfundimtare.
Në dhjetor 2024, ish-zëvendësministrit polak të Drejtësisë, Marcin Romanowski, i cili ishte në kërkim nga policia, iu dha azil në Hungari. Në nëntor 2025 u arratis në vendin e Orbánit, shefi i tij i mëparshëm, ish-ministri i Drejtësisë. Të dy politikanët, të cilët deri në dhjetor 2023 ishin pjesë e qeverisë konservatore të krahut të djathtë të Mateusz Morawieckit, janë në kërkim me urdhër arresti për akuza korrupsioni.
Disa politikanë nga minoritetet hungareze në Rumani dhe Ukrainë gjithashtu kanë kërkuar strehim në Hungari në vitet e fundit. Në shumicën e rasteve, Orbáni ose politikanë të tjerë të qeverisë kanë pretenduar se rastet që përfshinin të prekurit ishin të motivuara politikisht.