Trajnerja e Donjetës, Marjola Sallauka për herë të parë ka rrëfyer në Sportcast-in e KosovaPress prapaskenat e humbjes më të dhimbshme së vitit të kaluar në Kampionatin Botëror, ndërsa vetë Donjeta ka treguar për triumfin që i dha ndjesinë më të mirë në jetë,.
Trajnerja Marjola Sallauka ka treguar se si një helmim nga ushqimi vetëm një javë para Kampionatit Botëror ia humbi mundësinë Donjetës që ishte në formën e jetës, duke e cilësuar atë si momentin më të rëndë për të dyja.
"Humbja më e vështirë ka qenë vitin e kaluar në Kampionatin Botëror. Ka qenë në një formë shumë të mirë, por ndodhi; Donjeta një javë përpara u helmua prej ushqimit dhe ka pasë një rënie të madhe. Për Donjetën ka qenë shumë e vështirë me u kthy. Ka qenë shumë e vështirë ajo ndeshje, deri në momentin kur i kom thon ulu Donjetë, ka qenë shumë moment i vështirë. Kjo ka qenë humbja më e vështirë që e ka përjetuar. E kemi kuptuar rrugën tash, e lëmë me u qetësu Donjetën, i japim disa ditë për me u rikthyer. Humbja i kujtohet dhe motivohet shumë më shumë."
Nga ana tjetër, boksierja jonë elitare pranoi se humbjet i përjeton shumë më rëndë sesa që u gëzohet fitoreve, por veçoi një moment historik që nuk do ta harrojë kurrë – fitoren që i siguroi biletën për në Lojërat Olimpike."Fitoreve nuk është që iu gëzohem shumë, shumë rrallë e ndjej gëzimin e fitores, më shumë idhnimin e humbjes. Ndjesia që jam ndi më së miri në botë, një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj, është fitorja kundër italianes për Lojërat Olimpike. Ka qenë një fitore që ka qenë shumë e rëndësishme si për mua, si për Federatën e Boksit dhe gjithë shqiptarët. Ka qenë një fitore e madhe dhe e kam arritur kuotën për Lojërat Olimpike, nuk e di si ta përshkruaj atë ndjenjë."
Duke kujtuar emocionin e papërsëritshëm të fitores ndaj italianes që çoi peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve, dyshja Sadiku-Sallauka vërtetoi se i ka nxjerrë mësimet e duhura nga e kaluara. Kjo sinergji e fortë mes boksieres dhe trajneres është garancia më e madhe se Kosova do të ketë sërish momente krenarie në arenën ndërkombëtare.