Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për organizimin e një proteste demokratike në mbështetje të projektit të Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane dhe për ruajtjen e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një reagimi publik, Hoti ka deklaruar se refuzimi i këtij projekti nga Qeveria e Kosovës rrezikon ta lërë Kosovën si vendin e vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë një projekti rajonal energjetik, për të cilin, sipas tij, ka pasur mbështetje dhe insistim të vazhdueshëm nga administrata amerikane.
Hoti ka kundërshtuar argumentet e Qeverisë për refuzimin e projektit, duke vlerësuar se ato nuk qëndrojnë në aspektin ekonomik. Sipas tij, projekti i gazit është komplementar me strategjinë energjetike të Kosovës dhe do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.
Ish-kryeministri ka theksuar se Kosova ka shpenzuar qindra milionë euro për import të energjisë gjatë viteve të fundit dhe se mosrealizimi i projektit mund të ketë pasoja të mëtejshme ekonomike për qytetarët dhe bizneset.Në fund, Hoti u ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve dhe qytetarëve që të bashkohen në një protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.