Miqësorja e konsideruar si historike, në mes përfaqësueses së Kosovës dhe Haitit, e cila ishte takimi i parë ndërkombëtar nën monitorimin e FIFA-s, ndodhi më 5 mars 2014, dhe përfundoi me rezultat 0:0.
Stadiumi Olimpik "Adem Jashari" në Mitrovicë që kishte marrë pamjen e një stadiumi evropian, ishte arena e përballjes së parë historike ndërkombëtare të përfaqësueses kosovare.“Dardanët” nuk u ndalën së sulmuari, ata bënë presion, e dominuan gjysmë lojën e parë, krijuan shumë raste, mirëpo goli mungoi. Vendasit e nisën edhe më fuqishëm gjysmën e dytë, në tentim të vazhdueshëm për të ndërtuar aksione që do ta ndëshkonin Haitin.
Lojtarët mysafirë arritën që për një periudhë ta qetësonin paksa lojën, mirëpo kosovarët shumë shpejt kthyen dominimin ofensivë në fushë.
Mbi 17 mijë tifozë ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur këtë lojë historike, ndërkohë që aty nuk munguan edhe udhëheqësit kryesorë të shtetit të Kosovës, duke filluar nga presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari.