Pas më shumë se 30 vitesh largimi të dhunshëm, dera e një banese në veri të Mitrovicës është hapur sërish për pronarët e saj. Emocionet, kujtimet dhe realiteti i asaj që gjetën brenda, ndërthuren në rrëfimin e Vjollca dhe Sami Bunjakut, të cilët tregojnë historinë e tyre për KosovaPress.
Për Vjollca Bunjakun, kthimi nuk ishte thjesht rikthim fizik në një hapësirë, por përballje me një realitet të vështirë.
“Unë nuk kam pasur frikë edhe kur nuk kemi mujtë me ardhë gjithmonë kemi dalë knej edhe dmth e kam bërë një shikim prej poshtë lart, unë tash mendoj me ardhë me banu këtu, nuk kam frikë prej askujt. Ju kisha bërë apel të gjithëve që kanë banesa këndej ure në veri t’i rikthejnë pronat e veta, nuk kanë pse me u frigu. E kam ëndërruar, por kur se kam imagjinuar. Gjithmonë e kam ëndërruar se do të kthehem një ditë do të vij në banesën time, do të vijmë në pronën ku kemi jetuar edhe pse ka qenë shumë e vogël por për mua ka qenë mjaftë“- deklaroi ajo.
Historia e kësaj familjeje kthehet në tetorin e vitit 1990, kur, sipas Sami Bunjakut, gjithçka ndodhi brenda pak orësh.Bunjaku ka përshkruar momentin e marrjes së çelësave të banesës si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit në pronën e tij, ndonëse gjendja e saj ishte e rëndë.
Ai u shpreh se përvoja e tij me rikthimin në pronë është një mesazh i qartë për të gjithë ata që presin të kthehen: nuk duhet të dorëzohen kurrsesi.