Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha SHBA-ja "nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd" kur bëhet fjalë për atë se kush qëndron pas sulmit në kanalin e furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.
"Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë", tha Hill në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, RTS.
Hill shtoi se është mirë që Byroja Federale e Hetimeve e SHBA-së (FBI) po e mbështet hetimin dhe se kjo flet për mungesën e besimit dhe një “prirje drejt akuzave të ndërsjella”.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sulmi është kryer me deri në 20 kilogramë eksploziv.Në ditët pas sulmit, autoritetet e Kosovës kryen disa aksione në veri, gjatë së cilave konfiskuan armë, municione e pajisje të tjera ushtarake. Nga dhjetë të shoqëruar në polici si të dyshuar për përfshirje në sulm, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.
Për autoritetet e Kosovës ky ka qenë sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike të vendit që nga lufta e viteve 1998/'99, dhe që dëmet shkojnë në rreth 400.000 euro.
Ai tha për RTS-në se ekziston shqetësimi nëse NIS, në duart e rusëve, në ndonjë mënyrë ndihmon financimin e luftës në Ukrainë dhe se këto janë çështje legjitime që duhet të shqyrtohen me kujdes.
NIS-i është që nga viti 2008 në pronësi shumicë të kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft, dhe kompanisë amë të saj, Gazprom.
Rafineria e naftës së papërpunuar në Pançevë, riparimi i fabrikës, Serbi, prill 2024.
Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja e kanë vendosur Gazprom Neft-in në listën e zezë që nga viti 2014, pas aneksimit rus të gadishullit ukrainas të Krimesë.
"Do të shohim se cili do të jetë rezultati. Dua t'ju siguroj se, në asnjë mënyrë, vendimi përfundimtar nuk do të ndikojë në ekonominë serbe", shtoi Hill.
Një ditë më vonë, Vuçiq tha se ende nuk ka parë një dokument zyrtar për vendosjen e sanksioneve nga SHBA-ja kundër NIS-it, por se ekziston "një lloj konfirmimi zyrtar" që vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar për shkak të pronësisë ruse.
Departamenti i Shtetit më 16 dhjetor, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk publikojnë veprime të lidhura me sanksionet.Beogradi, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, refuzon t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës dhe vazhdon t’i ruajë lidhjet me zyrtarët në Kremlin.
Serbia është kryesisht e varur nga Rusia në sektorin energjetik, megjithëse ka nisur diversifikimin e rrugëve dhe burimeve për furnizimin me gaz./REL/