“Heronjtë nuk vdesin kurrë”, nderime të mëdha Sahit Jasharit
2-Second
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
“Heronjtë nuk vdesin kurrë”, nderime të mëdha Sahit Jasharit
Sahiot Jashari
12/06/2026 - 15:22
Linku u kopjua

Në 27-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat okupatore serbe u nda nga jeta një prej luftëtarëve që kontribuoi drejtpërdrejt për lirinë e atdheut.

Bashkëluftëtarit të komandantit legjendar Adem Jasharit, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari, iu bënë nderime të mëdha nga bashkëluftëtarët, përfaqësues institucionesh e qytetarë të shumtë.

Në mbledhjen komemorative, u vlerësua kontributi i tij i jashtëzakonshëm në rrugën drejt lirisë së Kosovës dhe përkushtimi i tij i pandërprerë ndaj çështjes kombëtare.

Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se Sahit Jashari i përkiste brezit të burrave që në kohët më të vështira zgjodhën sakrificën për lirinë e Kosovës.

“Jemi mbledhur me dhembje të thellë për t’i dhënë lamtumirën e fundit njërit prej veprimtarëve dhe luftëtarëve të orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkëluftëtarit besnik e komandantit legjendar Adem Jasharit, burrit që jetën e tij ia kushtoi lirisë dhe çështjes kombëtare, Sahit Jashari. Njeriut që i takoi brezit të burrave që në kohët më të vështira zgjodhën rrugën e sakrificës për lirinë e Kosovës. Jeta e Sahitit ishte e lidhur ngushtë me përpjekjet për lirinë. Ishte koha që çdo veprim për çështjen kombëtare barte rrezik, kur shumë veprimtarë jetonin mes sakrificës, përpjekjes dhe pasigurisë, ishte koha e pyetjes të jesh apo të mos jesh”, tha Nura.

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gazmend Syla e kujtoi Sahit Jasharin si një luftëtar që jetoi dhe veproi gjithmonë pranë bashkëluftëtarëve.

“Vëllai Sahit i paske dashur heronjtë më shumë se këtë botë e më shumë se ne. Të paska marr malli për prindërit e bashkëluftëtarët e sot ke vendosur me festua ditën e çlirimit me ta. Ditë që për ne, kur të bëhet ditë me të kujtua ty komandant, me mbajt peshën e dhimbjes sa të jetë jeta. Komandant jemi bërë rresht me të përcjellë në përjetësi, me të mbajt në mend gjithmonë shpirtin tënd të madh e guximin që e pagove për lirinë e shqiptarëve. Po le mbas një popull të lirë, një emër që është gdhend në histori”, tha Syla.

Me fjalë prekëse u drejtua edhe Vlora Jashari, vajza e të ndjerit Sahit Jashari, e cila tha se babai i saj mbetet pjesë e përhershme e historisë dhe identitetit të Kosovës.

Ajo tha se ish-komandanti ishte ndër të parët që besoi në liri, edhe pse dukej e largët dhe sakrifikoi gjithçka që të vinte ajo ditë.

“Heronjtë nuk vdesin, ata mbesin përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive dhe bëhen pjesë e identitetit, historisë dhe lirisë sonë. Babi ishte njëri prej atyre burrave që jetën ia kushtoi atdheut, lirisë dhe dinjitetit të popullit shqiptar. Nga vitet e para të rezistencës, nga të shtënat e para të lirisë në 1991, në ditët më të vështira ai qëndroi i palëkundur në rrugët që kishte zgjedhur. Ishte njëri ndër themeluesit e UÇK-së, ndër ata që besuan në liri kur ajo dukej e largët dhe ndër ata që ishin të gatshëm të sakrifikonin gjithçka për ta afruar atë. Babai ynë nuk kërkoi privilegje, ai deshi vetëm ta shihte vendin e tij të lirë, të jetojnë pa frikë, tërë jetën ia kushtoi këtij ideali. Ne sot nuk kujtojmë vetëm me dhimbje, por edhe krenari”, u shpreh Vlora Jashari.

Ish-komandanti i UÇK-së, Sahit Jashari do të varroset në orën 16:00 në varrezat e lagjes së Jasharëve në Prekaz.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026