Helmohen nga uji në lokal tre persona në Shkodër, reagon UKSH: Uji është cilësor
Lexohet për: 2 min.
uji
2 vite më parë
Linku u kopjua

Tre persona janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal në Shkodër. Policia sqaron se 41-vjeçarja A.Z., djali i saj 14-vjeçari A.Z., dhe 30-vjeçari M.M., , janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore. 41-vjeçarja dhe djali i saj janë dërguar për mjekim më të specializuar në Tiranë.

“Më datë 28.12.2022, rreth orës 23:30, në Spitalin Rajonal Shkodër, janë paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore, shtetasja A. Z., 41 vjeçe dhe djali i saj, shtetasi A. Z., 14 vjeç, banues në Malësi të Madhe, si dhe shtetasi M. M., 30 vjeç (kamarier i lokalit), banues në Shkodër, të cilët dyshohet se janë helmuar nga uji i konsumuar në një lokal, në Shkodër.

Shtetasja A. Z., së bashku me djalin e saj, janë dërguar për mjekim më të specializuar, në Tiranë. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton Policia.

Për ngjarjen ka reaguar menjëherë institucioni i Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, ku kanë siguruar qytetarët se uji është cilësor. UKSH bën me dije se 41-vjeçarja, djali i saj dhe kamarieri i lokalit, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar.

“Ujësjellës Kanalizime Shkodër, në kuadër të transparencës dhe komunikimit me klientët e vet, sqaron opinionin publik lidhur me një lajm që është shpërndarë minutat e fundit: Personat nënë e bir dhe një kamarier, janë intoksikuar pasi kanë konsumuar ujë të ambalazhuar nga një kompani. Kjo konfirmohet edhe nga Prokuroria dhe AKU që bashkarisht po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. UK Shkodër siguron klientët për cilësinë e ujit, monitoruar periodikisht nga specialistë të Drejtorisë së Shendetit Publik Shkodër", thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025