Nënkryetari i LDK, Lutfi Haziri, tha pasdite se ish-presidentja Vjosa Osmani mbetet i vetmi propozim i LDK-së për presidente, ndryshe nga një qëndrim i mëparshëm.
Më herët gjatë ditës, Radio Evropa e lirë , duke iu referuar deklaratës së Hazirit, raportoi se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.
Por, pasdite Haziri në një “sqarim për interesimin e publikut”, të postuar në rrjetin social Facebook, tha se ish-presidentja Vjosa Osmani, mbetet i vetmi propozim i LDK-së për presidente.
“Kërkesat politike, ndërkaq, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së. Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, shkroi Haziri.