Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar vetëm një kandidaturë për postin e presidentit, atë të Glauk Konjufca, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo theksoi se nuk mund ta thërrasë seancën plenare për zgjedhjen e presidentit pa u paraqitur së paku dy kandidatura, pasi kjo është e domosdoshme për nisjen e procesit të votimit.
“Në cilësinë e kryetares të Kuvendit deri në këtë moment kam pranuar vetëm një kandidaturë për president, kjo kandidaturë është propozuar nga 30 deputet nënshkrues. Sipas dokumentacionit zyrtar që unë e kam para vetes një pjesë e deputetët nga grupi parlamentar i LVV dhe disa deputet nga grupi multietnik ka nominuar zotëri Glauk Konjufca për kandidat për president të Kosovës. Bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe në veçanti në interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese procedura për zgjedhjen e presidentit kërkon që proces të jenë së paku 2 kandidat të vlefshëm. Procesi i votimit nuk mund të filloj pa u përmbushur ky kusht themelor procedural”, tha ajo.
“Derisa nuk kemi së paku dy kandidat që kanë siguruar mbështetjen e nevojshme prej 30 deputetësh unë nuk mund të thërras seancë për zgjedhjen e presidentit. Mund të ketë kërkesa për seanca të jashtëzakonshme, por seancë për zgjedhjen e presidentit nuk mund të ketë pa i pasur së paku 2 kandidat. Më tutje duke u bazuar në nenin 86 paragrafi 2 i Kushtetutës së Kosovës zgjedhja e presidentit të Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues për përmbylljen e këtij procesi është 5 mars 2026, pra nesër. Aktualisht kemi më, pak se 30 orë deri në përfundim të këtij afati çka e bënë situatën edhe më urgjente”, tha Haxhiu.
Kryekuvendarja, Haxhiu i ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të reflektojnë dhe të propozojnë edhe një kandidatë tjetër përveç Glauk Konjufcës.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka theksuar se është koha që deputetet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të propozuar kandidat për president, përndryshe rrezikohet shkaktimi i krizës kushtetuese.
“Vetëm në qoftë se në raundin e tretë, asnjëri prej kandidatëve nuk i merr 61 vota për tu bërë president, pastaj vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Dhe tjetra që parashihet me Kushtetutë, është se nëse brenda afatit 60 ditor nuk arrin të zgjedhjet presidenti i Republikës së Kosovës prej nisjes së procedurave, që i bie nëse ne do të nisim sot, afati vlen prej sot, por meqë ende nuk kemi nisur ky afat nuk fillon të vlejë. Edhe në këtë rast prej nisjes së procedurave kalojnë 60 ditë pastaj shpërndahet kuvendi i Republikës së Kosovës. Në situatën kur nuk ka një kandidat të dytë, ne presim që deputetët të adresojnë përgjegjësitë që kanë të bëjnë të mundshme edhe një kandidat tjetër. Por, nëse do të jemi me 6 mars e tutje, nuk përcaktohet saktësisht se çka ndodh nëse presidenti i vendit zgjedh pas këtij afati, sepse Kushtetuta thotë se presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundim të mandatit të presidentit aktual që është data 5. Prandaj, hyjmë në një terren tjetër, shpesh quhet terren i pashkelur, por për të mos ardhur në situata të tilla ose të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, sepse ne kishim zgjedhjet me 28 dhjetor, qytetarët e Republikës e Kosovës e dhanë mesazhin e tyre. Tani kemi shumë punë për të bërë, që ndërlidhen me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, prandaj, mungesa e vullnetit në këtë drejti, shpërfillja e përgjegjësisë që kanë deputetet e kuvendit për mua është e paarsyeshme”, ka theksuar Haxhiu.
E pyetur nëse terrenin “e pashkelur”, mund të shkel presidentja nëse vendos që me datë 6 të shpërndajë kuvendin, Haxhiu tha se nuk parashihet kjo situatë.
“Nuk parashihet kjo situatë, përmenda dy situata, në qoftë se në raundin e tretë nuk arrin të zgjidhet presidenti i vendit, dhe në anën tjetër nëse brenda afati 60 ditor prej nisjes së procedurave nuk arrin kuvendi të zgjedh presidentin. Pra, mendoj se kur të hymë në datën 6, gjithçka pastaj, do të jetë si objekt në Gjykatën Kushtetuese, prandaj uroj të mos shkojmë në situata të tillë. Ftoj të gjitha partitë politike të marrin përgjegjësitë që ju takojnë dhe të japin zgjidhje kësaj situate”, ka përfunduar Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar për president ministrinë e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën./B.Ibishi/ /E.Krasniqi/