Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka votë për Vjosa Osmanin. Shefi i deputetëve të kësaj partie, Arian Tahiri, tha se vendit nuk i bën nder dikush për president që ka pasur qasje të njëanshme dhe është propozim i një grupi politik, raporton KosovaPress.
Ai, në një prononcim për media të enjten, tha se nëse s’ka pajtueshmëri për zgjedhjen e të parit të vendit, janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
“Nuk është se po dua të lëshohem me emra të përveçëm. Vendit nuk i bën nder dikush që ka pasur qasje të njëanshme dje dhe që e përfaqëson vetëm një grup apo subjekt, por po flasim për dikë që është mbi partitë politike”, tha ai.
Një ditë pasi anëtarë të familjes Jashari thanë se s’kanë vullnet për të marrë postin e presidentit, Tahiri tha se PDK-ja e mbështet për president dikë që e përfaqëson unitetin politik dhe atë qytetar.Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së tregoi edhe nëse do të ketë kandidat për president të propozuar nga partia e tij.
“Nuk është se ka pasur diskutime për marrëveshje politike. Çështja e marrëveshjes politike ka përfundu, ajo i kish ra kur është formuar qeveria. PDK-ja nuk është e interesuar për marrëveshje politike, por është e interesuar me pasur qasje proaktive dhe mbështetëse për institucionet. Nëse është e nevojshme, arsyeshme dhe kërkohet, padyshim se PDK-ja do të nxjerrë edhe një emër”, shtoi Tahiri.
Vjosa Osmani është e vetmja që ka shprehur ambiciet për të kandiduar për një mandat tjetër pesëvjeçar. E njëjta, për të zyrtarizuar kandidaturën, duhet të mbledhë tridhjetë nënshkrime të deputetëve. Madje, për t’u thirrur seanca e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, duhet të ketë dy kandidatë të zyrtarizuar me nga 30 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit. /E.Zeqiri/