Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se qeveria Kurti është e pa korruptuar dhe se ata nuk e keqpërdorin detyrën zyrtare.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Haxhiu tha se sulmet, tendencat për hakmarrje dhe shpifjet e kundërshtarëve politik do të rriten, pasi sipas saj plani i tyre është që të ndikojnë tek qytetarët.
Ministrja Haxhiu potencoi se gjatë kohës së qeverisjes janë përballur me akuza të pabaza nga opozita. Ajo tha se është mbajtur dy ditë në prokurori, sipas saj veç pse ka thënë se “prokurorët dhe gjyqtarët kanë tentuar të funksionojnë me neve si me qeveritë e kaluara”.
“Është tepër e rëndësishme edhe sanksionimi i Serbisë, sepse Serbia është bërë strehë e kriminelëve të luftës, po ashtu edhe për ata që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes. Gjatë kësaj kohe jemi përballur me shumë shpifje dhe akuza të pabaza. Merren me Rozetën, kryeministri e përmendi është 30 herë më shumë rezerva shtetërore, merren me ministren Hajdari…Merren me Hajrullahun, me Xhelalin, me ministrat e qeverisë Kurti. Dy ditë më kanë mbajtur në prokurori veç pse kam thënë se prokurorët dhe gjyqtarët kanë tentuar të funksionojnë me neve si me qeveritë e kaluara. Pra, t’i bëjnë favore njëri-tjetrit, por ne kemi thënë jo”, potencoi Haxhiu.“Së fundi, si kryesi e GVV-së, jemi duke e takuar strukturën e GVV-së gjithandej komunave. Dhe kemi hyrë në fazën mobilizuese për zgjedhje. Po mobilizohemi me strukturën tonë që pastaj së bashku të dalim në terren që të takojmë vajzat dhe gratë në Republikën e Kosovës gjithandej…Për ne është e qartë se sa do të fitojmë si LVV do të varet edhe nga ajo se sa do të na votojnë gratë”, tha Haxhiu.