Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka dënuar ashpër sulmin fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehanit dhe kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj duke kërkuar nga organet kompetente të veprojnë me profesionalizëm dhe pa hezitim që personat e përfshirë të përballen me drejtësinë.
Ajo përmes një reagimi në Facebook shkroi se dhuna fizike në jetën publike është cenim drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike.
“Dënoj ashpër sulmin fizik ndaj Hysni Mehanit, zëvendësministër, kandidat për deputet dhe kryetar i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj.
Dhuna fizike në jetën publike është cenim i drejtpërdrejtë i sigurisë së qytetarëve, i lirisë së veprimit politik dhe i vetë kulturës demokratike. Mandati publik nuk është strehë për arrogancë, as mburojë për forcë fizike ndaj kundërshtarit politik.Hysni Mehanit i uroj shërim të shpejtë dhe rikthim sa më të shpejtë në angazhimet e tij publike.
Familjes së tij, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve u bëj thirrje për përmbajtje, qetësi dhe besim në institucionet e Republikës” ka shkruar ajo.