Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të refuzojë kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve nga komuniteti serb për t’u kthyer në sistemin gjyqësor të Kosovës, respektivisht në vendet e punës ku ishin të angazhuar më herët.
Në një konferencë për media të premten, Haxhiu tha se ish-gjyqtarët e ish-prokurorët serbë janë përfshirë në shkelje të rendit kushtetues dhe juridik të Kosovës.
BE dhe disa prej ambasadave të huaja në Kosovë kanë bërë thirrje për shqyrtimin e mundësisë për kthimin e ish-gjyqtarëve e prokurorëve serbë, pas kërkesës së tyre të fundit që t’u mundësohet kthimi në vendet e tyre të punës, pasi kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022.
Shumica e përfaqësuesve serbe në institucionet kosovare, sidomos ata me seli në veri, u larguan nga institucionet e Kosovës, pas asaj që supozohet se ishte kërkesë e Beogradit, e implementuar prej Listës Serbe.Ajo tha që në rast se KGJK vendos t’i rikthejë në punë ish-gjyqtarët serbë, do të përfshihej në një rast të paprecedent dhe të rrezikshëm për vendin.
Haxhiu shtoi se kërkesa ndaj KGJK-së nuk duhet të shihet si presion, pasi është detyrë e Kuvendit të Republikës së Kosovës të angazhohet që ligjet e miratuara të zbatohen. /KosovaPress/