Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi sot se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar për të forcuar mekanizmat për parandalimin e korrupsionit.
Ajo në forumin e sotëm “Lufta kundër Korrupsionit – Ballkani Perëndimor në Fokus”, tha se lufta e pa kompromis kundër korrupsion ka bërë që Kosova të ketë progres në indekset ndërkombëtare antikorrupsion dhe atë të sundimit të ligjit.
Duke folur për angazhimet në reformën në drejtësi, ajo përmendi vettingun, me ç’rast i njoftoi të pranishmit se koncept-dokumenti bashkë me amendamentet kushtetuese, janë dërguar për opinion në Komisionin e Venecias.
“Përmes vettingut në sistemin e drejtësisë, si Qeveri synojmë që të arrijmë të kemi një sistem të pa korruptuar, me integritet moral e profesional, të drejtë dhe të guximshëm e të pa kompromis në luftën kundër krimit dhe korrupsionit” tha Haxhiu.
Haxhiu përmendi edhe Rregulloren për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit të miratuar nga Qeveria e Kosovës si dhe ka theksuar rëndësinë e miratimit të Projektligjit për Sanksionet e Shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, i njohur si Magnitsky Act.
“Ministria e Drejtësisë është afër finalizimit të këtij Projektligji, dhe si e tillë është e para në rajon e cila miraton këtë akt – nismë kjo me efekte globale antikorrupsion. Ky akt ka për qëllim mbështetjen e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare” tha Haxhiu.