Haxhiu fton prokurorët e gjyqtarët të vazhdojnë punën: Mos të punojnë për interesa personale
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka ftuar prokurorët e gjyqtarët që të vazhdojnë punën dhe të mos veprojnë për interesa personale. Sipas saj, vendimi i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ka qenë antiligjor dhe se nuk mund të mbetet në fuqi si i tillë. Haxhiu gjatë së enjtes ka potencuar se projektligji i miratuar dje në qeveri, nivelizon pagat për gjyqtarët dhe rrit ato në të gjitha kategoritë. Po ashtu, shtoi se kjo nismë ligjore shmang rritjet aksidentale, abuzimin dhe arbitraritetin.

Në konferencën para fillimit të 16 ditëve të aktivizmit, Haxhiu ka folur për qëllimin e dy projektligjeve të miratuara nga kabineti qeveritar.

“Siç e dini, në mbledhjen e djeshme të qeverisë janë votuar të dy këto projektligje. Dhe qëllimi i të dyja këtyre projektligjeve është që të bëhet reforma në Administratën Publike, por edhe që të kemi paga të barabarta, dinjitoze për të gjithë që të mos privilegjohet asnjë shtresë e shoqërisë, ka deklaruar Haxhiu. 

Qeveria aktuale, siç tha Haxhiu, nuk ndërhyn në punën e sistemit të drejtësisë, vetëm kërkon që ta kryejnë punën e tyre. Sipas Haxhiut, rritja e pagave nuk e ka shtuar punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Projektligji i ri përveç se nivelizon pagat për gjyqtarët dhe prokurorë dhe gjithashtu rrit pagat e pothuajse të gjitha kategorive, kjo nismë reformuese gjithashtu shmang rritjet aksidentale, abuzimin dhe arbitraritetin në këtë proces mjaft të rëndësishëm. Siç e dini, në kohën kur është votuar ky vendim nga qeveria Haradinaj, qëllimi ka qenë që ta rrisin pagën vetvetes, në atë kohë, ish-kryeministri Haradinaj dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Dhe ata fare nuk kanë qenë në dijeni që pastaj mund të ndikojë në rritjen e pagave për sistemin e drejtësisë. Duke qenë që ka qenë konflikt i drejtpërdrejt i interesit, ne kemi kundërshtuar këtë vendim aso kohe”, ka shtuar ministrja Haxhiu.

Sipas saj, ky ka qenë konflikt i drejtpërdrejt i interesit, për çka ka konstatuar edhe Agjencia Kundër Korrupsion. Megjithatë, siç tha ajo, qeveria e atëhershme nuk ishte tërhequr nga ky vendim. Po ashtu, edhe pas kallëzimit penal në Prokurorinë Speciale nuk është vepruar.


“Ligji i Pagave që ka shkuar dje në kuvend rrit pagat për gjyqtarët dhe prokurorët dhe ne nuk mund ta mbajmë në jetë një vendim që është i paligjshëm. Sa i përket bashkëpunimeve me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, për shkak të reformave që ka nisur Ministria e Drejtësisë, gjithnjë është përcjellur me probleme të ndryshme. Ne kemi nisur vettingun ata e kanë bojkotuar, prapë jemi takuar, sërish kanë bojkotuar. Mirëpo mendoj që të gjithë ne së bashku duhet të punojmë vetëm për një gjë: vetëm për interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.

Ajo ka ftuar prokurorët e gjyqtarët që të vazhdojnë punën

“Nuk kuptoj qasjen e KGjK-së dhe KPK-së dhe i ftoj ata që të vazhdojnë punën dhe të mos punojnë për interesa personale, por për interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar ajo.

Gjatë ditës së djeshme, kabineti qeveritar ka miratuar projektligjin për Zyrtarët Publik dhe atë për Pagat. /Sh.Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024