Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka theksuar se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke bërë thirrje për intensifikim të përpjekjeve mes partive politike për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.
Ajo tha se ka qenë e gatshme të lirojë pozitën e kryetares së Kuvendit të Kosovës konsensus, vetëm që të ketë zgjidhje për presidentin.
Haxhiu theksoi se është e nevojshme që partitë parlamentare të vazhdojnë takimet dhe të tregojnë vullnet për kompromis, duke kritikuar qëndrimet e fundit të partive opozitare.
Ajo paralajmëroi se situata aktuale i ngjan asaj të vitit të kaluar, kur institucionet u përballën me bllokada të gjata, ndërsa theksoi se qytetarët tashmë kanë dhënë mesazhin e tyre përmes zgjedhjeve.“Unë kam ofruar edhe pozitën e kryetares së Kuvendit, sepse çka më duhet pozita e kryetares së Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme. Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që kryeministri Kurti i ka bëre në drejtim të partive opozitare, PDK-së dhe LDK-së, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj, që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos kryesia e Vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, tha ajo.
Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të reja, Haxhiu tha se nuk i frikësohet procesit zgjedhor, por theksoi se ato nuk janë në interes të qytetarëve në këtë moment.