Haxhiu e dekreton Zejnulla Gashin Kryeprokuror të Shtetit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Haxhiu e dekreton Zejnulla Gashin Kryeprokuror të Shtetit
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka dekretuar Zejnulla Gashin Kryeprokuror të Shtetit.
Haxhiu tha se pas pranimit të propozimit dhe dokumentacionit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, është bërë një shqyrtim i kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës i materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes.
“Marrë parasysh rëndësinë e këtij funksioni dhe nevojën për funksionalizimin e plotë të institucioneve të drejtësisë, kam vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore. I urova z. Gashi suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore. Funksioni i Kryeprokurorit të Shtetit është një nga shtyllat kryesore të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit kushtetues. Beteja kundër krimit të organizuar, korrupsionit, ndjekja e kriminelëve të luftës, dhunuesve dhe krimit të çfarëdo forme duhet të marrin përgjigje të prerë nga organi i akuzës”, shkroi Haxhiu, transmeton KosovaPress.
Ajo tha se pret nga Kryeprokurori Gashi që këtë detyrë ta ushtrojë me integritet të lartë profesional e moral, me paanshmëri e guxim, gjithnjë me përkushtim të lartë ndaj shtetit, qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Zejnulla Gashi u propozua dje në Këshillin Prokurorial si Kryeprokuror i Shtetit, ku nga gjashtë vota, mori pesë sosh. Paraardhës i tij në këtë pozitë ka qenë Blerim Isufaj.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.