Do të bëj gjithçka që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që sa më shpejt të dalë me një vendim për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.
Haxhiu nënvizoi se pas publikimit të vendimit, ai duhet të analizohet dhe të kuptohet mirë, për të vepruar në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.
“Uroj që sa më parë të kemi një vendim për dekretin e presidentes Osmani. Kurdo që ky vendim të dalë është e rëndësishme që ta shohim dhe ta kuptojmë atë dhe pastaj të veprojmë në përputhje me përgjegjësitë. Si kryetare e Kuvendit do të bëj gjithçka që është në dorën time që vendi të mos shkojë më në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha ajo.“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjejmë një rrugë të përbashkët, të kemi një qëndrim të përafërt dhe të kemi një raport për presidentin. Sa unë kam parë edhe qëndrimin e LVV-së me ftesat që kryeministri Kurti i ka bërë kryetarëve të partive opozitare është shprehje e interesit dhe vullnetit, andaj është e rëndësishme që ky vullnet të ekzistojë nga të gjitha palët. Nuk është koha të bëjmë lojëra politike apo të kemi inate”, tha ajo.
E pyetur për veprimet e saja si ushtruese e detyrës së presidentit, Haxhiu tha se shpreson se deri atëherë do të ketë president me mandat të plotë, mirëpo në të kundërtën do të ushtrojë përgjegjësitë e saja të parapara në Kushtetutë.