Hasani: Kushtet e Kurtit në dialog bëhen vetëm për përdorim të brendshëm
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, thotë se tri kushtet e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti në dialog janë fiktive dhe vetëm për konsum të brendshëm politik.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese në një intervistë për KosovaPress deklaron se Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe aneksi i Ohrit sjell detyrime të reja të pafavorshme për Kosovën, pasi krijohet autonomia për serbët në veri si dhe eksterritorialiteti për Kishën ortodokse serbe në Kosovë.

Megjithatë, ai thekson se me pranimin e marrëveshjes, qeveria e ka të pashmangshme zbatimin e zotimeve të Brukselit dhe të Ohrit.

Hasani thotë se nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit nuk paraqet asgjë te faktori ndërkombëtare për të rritur besueshmërinë ndërmjet palëve. Ai shton se edhe letra e ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq dërguar BE-së nuk determinon ligjshmërinë dhe detyrimet për zbatimin e marrëveshjes. Ndërkaq e konsideron si të pamundur edhe kërkesën për ekstradimin në Kosovë të përgjegjësit të sulmit terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq.

Hasani kritikon kryeministrin Kurti se me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit ka përjashtuar njohjen de-jure dhe de-facto të Kosovës si dhe ka pranuar të hyjë në një proces të dialogut, i cili mund të mos përfundojë kurrë.

Ai deklaron se drafti i BE-së për Asociacionin krijon autonomi për veriun, derisa shton se janë të paqëndrueshme deklaratat e qeveritarëve se asociacioni nuk mund të shkëputet nga marrëveshja bazë, pasi konsideron se kryeministri Kurti ka pranuar një nen në kuadër të aneksit të Ohrit ku thuhet se palët nuk diktojnë sekuencimin e zbatimit të marrëveshjes, por atë e dikton Bashkimi Evropian.

Madje sipas Hasanit drafti i Asociacionit i hartuar nga Bashkimi Evropian s’ka nevojë as për nënshkrim dhe vulë dhe se nuk është as një non-paper, siç po e konsideron kryeministri Kurti.

Kërkesën e tij që ky draft të dërgohet në Komision të Venecias nga BE-ja, profesori Hasani e konsideron si të pamundshme dhe si një tallje.

Ndërkaq, ai shpreh brengën se do të zvarritet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës pas dështimit për t’u përfshirë në agjendë në muajin maj.

Krahas këtyre, profesori Enver Hasani është skeptik se mund të ketë ndryshim të dinamikave në dialog, pavarësisht zgjedhjes së strukturave të reja në BE.  Ndërkaq e konsideron të nevojshme largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024