Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se Ramush Haradinaj është kandidati më i përshtatshëm për president të Kosovës pas zgjedhjeve të 7 qershorit, duke theksuar se zgjedhja e kreut të shtetit duhet të bëhet përmes konsensusit politik, e jo me përplasje ndërpartiake.
Sipas Arifajt, ish kryetari i Aleancës dhe dy herë ish kryeministri i Kosovës, përfaqëson një figurë unifikuese dhe me përvojë të gjerë shtetërore, duke e cilësuar kandidaturën e Haradinajt për president si “nder për Kosovën”, veçmas tashti, kur ai edhe është tërhequr nga posti i kryetarit të partisë.
Ai kritikoi qasjen e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se gjuha përçarëse dhe etiketimet ndaj partive tjera e bëjnë të vështirë ndërtimin e marrëveshjeve politike për çështje madhore si ajo e zgjedhjes së presidentit.
“Nuk mundet partia që i fiton zgjedhjet apo partia që e bën shumicën me thjeshtë parlamentare me zgjedh presidentin. Duhet konsensus nga të gjitha partitë ose nga pothuajse të gjitha partitë që i kanë 80 deputetë. Qysh mbërrihet ajo? Ajo nuk mbërrihet duke i quajtur ata zullumqarë, as hajna. Po zgjidhet me partneritet dhe besim reciprok në një dialog të respektit... është nder për Kosovën me pas Ramush Haradinajn president, se çka thonë që është nder edhe prej familjes, dikush prej familjes Jashari. Këto familje, këta njerëz, plus përvoja që i shtohet zotit Haradinaj, përvoja e tij diplomatike, kontributi i tij në krijimin e ushtrisë së Kosovës, kontributi i tij në qeverisje janë në kuptim të asaj se sa seriozisht për energjinë, ndarjen nga blloku energjetik i Serbisë dhe anëtarësimi në mekanizmat ndërkombëtarë të sektorit të energjisë, e bëjnë Ramush Haradinajn një kandidat, mbase më të mirin për president të Kosovës”, tha ai.Sipas tij, tërheqja e ish kryetarit nga drejtimi i subjektit politik nuk nënkupton largim nga politika apo nga Aleanca, por një përpjekje për t’i dhënë subjektit një drejtim të ri organizativ dhe politik.
“Zoti Haradinaj është ikonë jo vetëm e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, por edhe të ndërtimit të institucioneve. Ka qenë vendim emocional i rëndë për të gjithë njerëzit që kemi bashkëpunuar me të, që kemi punuar me të, që e kemi mbërri këtë moment ku ai tërhiqet nga lidershipi i partisë, por ka qenë vullnet dhe vendim i vetë zotit Haradinaj që t'i japë drejtim tjetër Aleancës në kuptim të ndërtimit të saj. Nga një parti e dalë nga lufta, në një parti moderne që përshtatet me rrethanat e kohës dhe që atë vizionin e përbashkët që e kemi për një Kosovë të integruar në të gjitha strukturat euroatlantike, për një Kosovë me një ekonomi moderne, për një ekonomi të hapur... qytetarë me mirëqenie të niveleve më të mira, do të vazhdojë nga një platformë tjetër, nga njerëz po ashtu të Aleancës që në këtë rast është zoti Gjini... Ai është në listë zgjedhore, ai tash është njëri nga ne, është pak a shumë edhe e çuditshme me e parë dikush tjetër të na udhëheqë. Mirëpo është një shtyllë e fuqishme dhe ndër bashkëpunëtorët më të mirë që kemi. Ai, për të ardhmen e tij sigurisht mundet vetë me fol, por për momentin ai do të jetë deputet i Parlamentit të Kosovës dhe do të jetë kryetar nderi i Aleancës dhe vazhdon faktikisht bashkëpunimi në çdo nivel me zotin Haradinaj”, tha ai.
“Unë jam në politikë kohë të gjatë dhe pothuajse në të gjitha zgjedhjet është përmendur pragu. Është përmendur edhe herën e kaluar, është përmendur edhe herën e parafundit. Ne patëm një përvojë shumë të keqe me koalicionin me Nismën në shkurt të vitit të kaluar dhe në analizën e shumë njerëzve të Aleancës ekziston një bindje që është dëmtuar shumë në atë proces. Zgjedhjet e fundit ishin një proces i konsolidimit. Aleanca tash i ka tejkaluar këto kriza, besoj se pragu nuk është temë fare, edhe pse eksponentë të Vetëvendosjes po kanë qejf, po e dëshirojnë një situatë të tillë. Aleanca do të ketë një rezultat shumë më të mirë se zgjedhjet e fundit”, shtoi ai.
Ai shtoi se Aleanca është “e vetmja parti që ka ide dhe projekte për të ardhmen”, duke premtuar veprime të menjëhershme pas marrjes së përgjegjësive qeverisëse.
“Jemi e vetmja parti që po ka ide për të ardhmen, që ka projekte për të ardhmen, projekte të menjëhershme, menjëherë pas fushatës, menjëherë pas marrjes së përgjegjësive dhe ne jemi e vetmja parti që për projektet e secilës që të tjerët ia kanë ndaluar, sot po paguan Kosova. Flas për energji. Ne po i themi qytetarëve të Kosovës, nuk na keni dëgjuar në 2008-ën. Na e keni anuluar projektin e Kosovës C që kish me i dhënë Kosovës 2.1 gigavat, s'do kishim duke paguar trefish rritje të rrymës, ende Kosova nuk ka rrymë. Vitin 2019, kur Ramush Haradinaj e ka nënshkruar kontratën me Contur Global për 450 megavat, jo veç që na e kanë anuluar, po na kanë fyer, na kanë sharë, kemi humbur vota pse e kemi bërë atë kontratë të dobishme për Kosovën... Na ka bekuar Perëndia, i kemi 14 miliardë tonelata. Lëreni ta ndërtojnë termocentralin rreth 1 gigavat apo 2, çfarëdo qoftë, orientoni projektet e gatshme për 4-5 vjet, ne për 50 vite më kurrë s'kemi me pas problemin e energjisë. Përndryshe, nëse vazhdojnë me këto, më fal s'po di qysh me i quajtur, me këto idetë se jo kemi me i plotësuar nevojat me solare, me këto”, shtoi ai.
Në “Intervistën Zgjedhore” të KosovaPress, Arifi tha se praktika e ndarjes së mjeteve në prag të zgjedhjeve është përsëritur disa herë dhe se kjo, sipas tij, krijon garë të pabarabartë politike.
“Kjo është hera e katërt që kemi zgjedhje. Nuk mundet katër herë me qenë e rastësishme. Në të gjitha zgjedhjet, javën e fundit e merr buxhetin e shtetit dhe e shpërndan qytetarëve. Natyrisht ata njerëz kanë nevojë dhe kur t'i japë dikush para gjithmonë krijon një ndjenjë të mirë. Duke e dëmtuar buxhetin e shtetit, duke e dëmtuar planifikimin, bash nuk po lodhet hiç për atë punë. Tash unë si qytetar, megjithatë jam kandidat, fuqinë e kemi çfarë e kemi. Unë me këtë kapacitet më duhet me dalë në garë me dikë që sapo i ka shpërndarë mbi 100 milionë euro, edhe ky barazim bëhet nga njerëzit... As nuk është fer, as nuk është e barabartë, edhe është e mjerueshme që është. Është e bazuar në mashtrim se po ua jep njerëzve paratë, po krijon njerëzve iluzionin se i ka mbajtur me nga 100 euro. Edhe më e rënda është që po e quajnë këtë si rezultat të politikave zhvillimore. Nuk ka të bëjë me zhvillim kjo punë”, përfundon ai./KosovaPress/