Situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen për zgjedhjen e Presidentit përbën një cenim serioz të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare.
Kështu thuhet në një reagim të Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku theksohet se një proces që duhet të reflektojë standardet më të larta të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale është karakterizuar nga një improvizim procedural dhe interpretim i gabuar i normave juridike, duke ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për funksionimin e demokracisë.
Sipas IKD-së, çështja e nominimit dhe e nënshkrimeve të deputetëve është trajtuar në kundërshtim me kuadrin kushtetues dhe praktikën gjyqësore. Kushtetuta kërkon së paku dy kandidatë për President, kusht që është përmbushur fillimisht më 5 mars 2026 me kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.
“Megjithatë, tërheqja e tyre nga gara nuk e rikthen procesin në pikën zero në aspektin juridik të nënshkrimeve, pasi këto të fundit konsiderohen të konsumuara në momentin e dorëzimit. Secili kandidat kishte siguruar mbi minimumin prej 30 nënshkrimeve, të cilat, për shkak të natyrës së tyre juridike, janë të lidhura ekskluzivisht me kandidatin përkatës dhe nuk mund të transferohen apo ripërdoren për kandidatë të tjerë. Ky interpretim, krahasimisht, mbështetet edhe nga praktika e Gjykatës Kushtetuese në rastin KI 47/10, ku është theksuar se nënshkrimet e deputetëve, pasi dorëzohen si pjesë e një kërkese, nuk mund të tërhiqen në mënyrë arbitrare dhe konsiderohen të konsumuara. Po ashtu, Rregullorja e Kuvendit e lejon tërheqjen e nënshkrimeve vetëm deri në momentin e dorëzimit në Zyrën për Propozime dhe Parashtresa, çka në këtë rast nuk ka ndodhur”, thuhet në reagim.Për të gjitha këto arsye, IKD i bënë thirrje Kryetares së Kuvendit që të respektoj Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu që të mos procedojë me asnjë veprim në seancë, nëse në sallë nuk janë të pranishëm 80 deputetë.