Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, gjatë një takimi sot me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës së Çekisë, Martin Dvorak, ka theksuar domosdoshmërinë për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Haradinaj ka falënderuar Dvorak për mbështetjen që Republika e Çekisë i ka dhënë Kosovës në shtet-ndërtim dhe vazhdon ta jep në proceset në të cilat ndodhet.
Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë masat penalizuese ndaj Kosovës, të vendosura vitin e kaluar, e të cilat përfshijnë pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe.
Masat e tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor 2023.