Haradinaj flet për datat opsionale për mbajtjen e zgjedhjeve, s'garon për kryeministër
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Haradinaj flet për datat opsionale për mbajtjen e zgjedhjeve, s'garon për kryeministër
Ramush Haradinaj
06/03/2026 - 14:38
Linku u kopjua

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka treguar për datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve. Ai tha se janë opsion datat 5, 12 dhe 19 prill, për çka shtoi se nuk kanë ndonjë datë të preferuar si parti. Ndërkohë, konfirmoi se nuk do të garojë për kryeministër.

Ai pas këtij takimi u shpreh kritik me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila refuzoi të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Osmani.

“Një shije e keqe ishte mospjesëmarrja e Vetëvendosjes me partnerët e tyre qeverisës, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në takim. Është e pakuptimtë mospjesëmarrja e tyre, ne opozitë kur s’jemi pajtuar me shumë vendime të presidentes, të qeverisë, me shumë situata dhe prapë kemi përfaqësuar në takim të partive politike. Mos ardhja e tyre sot qoftë edhe me mendime të kundërta për t’i ballafaquar dhe për t’i paraqitur këto në këtë takim, që është më i larti i mundshëm i partive politike parlamentare me presidentin e vendit për këtë temë kaq të ndjeshme, është një lloj fyerje për vendin, për Kosovën, për institucionet. Kurtit iu kanë përgjigjur në takime kryetarët e partive opozitare një nga një edhe shumë herë ka pasur konsulta. Mosardhja e tij edhe e atyre që munguan sot nuk është në rregull ”, deklaroi Haradinaj.

Para mediave, Haradinaj e konsideroi fyerje dhe tallje edhe paralajmërimin e LVV-së se do ta dërgojnë në Kushtetuese dekretin e presidentes për shpërndarje të Kuvendit.

“Edhe adresimi në Gjykatë Kushtetuese është një fyerje në vete, një tallje, një hajgare me proceset. Ata më së miri e dinë që afati 30 ditor është i tillë dhe e kanë ditur me kohë edhe kanë bërë hajgare, ju e keni parë mënyra se si kanë thirrur seanca dje edhe sjellja e mëtejmë nuk është në rregull dhe është gabim prej atyre”, shtoi ai.  

Sipas tij, 5, 12 dhe 19 prilli janë data opsionale për mbajtjen e zgjedhjeve, por që shtoi se mund të ketë edhe datë tjetër.

“Askush nuk i ka faj Vetëvendosjes për sjelljen e tyre dhe për ato që ja kanë sjellur vendit. Kjo situatë që ka ardhur është rezultat i tyre edhe ata është dashur që të vijnë në këtë takim dhe t’i thonë pikëpamjet e tyre qofshin të kundërta. Sa i përket datat, janë opsion datat prej 5, 12 dhe 19 prill, mund të ketë edhe data tjera varësisht prej zhvillimeve. Ne nuk kemi një datë të preferuar sepse e kuptojmë se tash jemi në autopilot nuk ka më askush kompetenca përpos Kushtetutës, normave kushtetuese dhe afateve kushtetuese dhe ne respektojmë cilën do datë nga këto datë”, përfundoi Haradinaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç tha ajo, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues. Në mungesë kuorumi, mbrëmë kuvendi ka dështuar të procedojë me votimin e presidentit, ku të propozuarit ishin Glauk Konjufca e Fatmire Kollçaku Mulhaxha.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026