Komiteti Paralimpik i Kosovës dhe Federata e Triatlonit e Kosovës kanë zyrtarizuar bashkëpunimin për të mbështetur para-atletin Fatmir Sheremeti në rrugëtimin e tij drejt Lojërave Paralimpike “Los Anxhelos 2028”. Përmes një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar të mërkurën, të dy institucionet janë zotuar të krijojnë kushtet e nevojshme për Seremetin, një kampion me përvojë ndërkombëtare, i cili tashmë synon të përfaqësojë Kosovën në arenën më të madhe të parasportit botëror
Presidentja e Komitetit Paralimpik, Njomza Emini, e cilësoi këtë marrëveshje jo vetëm si një akt formal, por si një dëshmi të besimit, durimit dhe shpresës. “Sot po flasim për një rrugë që nuk ka qenë e lehtë dhe që ende nuk është e lehtë, por po ndërtohet mbi vullnet dhe shpresë. Kjo marrëveshje po bëhet për një parasportist që nuk është ndalur kurrë së besuari,” deklaroi Emini.
Nga ana e tij, kryetari i Federatës së Triatlonit, Naim Gashi, u shpreh se ky bashkëpunim hap dyert për të gjithë sportistët me nevoja të veçanta. “Sot është një ditë e veçantë. Fatmiri është një sportist i cili premton shumë në të ardhmen dhe po hap dyert edhe për sportistët e tjerë që do të vijnë. Ne zotohemi që do t'i zbatojmë të gjitha obligimet e marrëveshjes për të arritur suksese sa më të mëdha, me synimin final pjesëmarrjen në Los Anxhelos 2028,” tha Gashi.
“Sot po arrijmë një marrëvshje memorandumi së bashku me Komitetin Paralimpik të Kosovës duke hapur dyert për sportistët me nevoja të veçanta, dhe siç e ceki presidentja më parë, Fatmiri është një prej sportisteve që premton shumë për të ardhmen. Kishim një takim para disa ditësh dhe vullneti dhe përgatitja e tij na bën që në të ardhmen të kemi shumë rezultate. Fatmiri është një sportist i cili po hap dyert edhe për sportistët e ardhshëm të cilët do te vinë, dhe do t’i kenë dyert e hapura ne federatën tone”, deklaroi Gashi.
“Për të garuar për medalje na duhet presidenti, edhe i drejtohem Albinit (Kurti) drejtpërsëdrejti se edhe ai na duhet edhe qeveria na duhet për të na mbështetur rreth financave sepse duhet të punojmë në grup si shtet që të arrijmë medalje dhe suksese në të ardhmen.”
Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm për parasportin në Kosovë, duke krijuar një platformë bashkëpunimi që synon jo vetëm suksesin individual të një atleti, por edhe promovimin dhe zhvillimin e lëvizjes paralimpike në vend.