Hamza: Ne kemi program realist, zgjidhja për qytetarët është e qartë
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 4 min.
2 orë më parë
Linku u kopjua
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka premtuar funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore.
Ai tha se asnjë qytetar nuk do të mbetet pa trajtim mjekësor, andaj sipas tij edhe barnat esenciale do të jenë falas.
Hamza në tubimin elektoral në Prizren tha se programi i PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit është realist “andaj qytetarët e kanë zgjidhjen e qartë se për këtë të votojnë”.
Ai premtoi rritjen e pagave në sektorin publik për 50 për qind, si dhe pensionet bazike për 70 për qind.
Sipas tij, me PDK-në në pushtet do të vendoset një standard i ri në politikë, pasi do të jetë një qeveri që punon dhe mban fjalën.
“Pas 9 shkurtit do të kemi një standard të ri në politikë. Do të kemi një qeveri të re që punon dhe mban fjalën. Qysh në muajt e parë të qeverisjes do t’i rrisim pagat në sektorin publik 50 për qind. Pensionet bazike 70 për qind. Kategoritë e dala nga lufta jo vetëm që do të marrin pensione më të larta por do të kenë të drejtën të punojnë në sektorin privat pa u penguar. Këto rritje do të forcojnë fuqinë blerëse dhe do të çojnë përpara ekonominë tonë. Ne do të reformojmë sistemin e tatimeve do të lehtësojmë barrën e bizneseve dhe do të japim më shumë grante dhe subvencione. Do të ndërtojmë rrugë të reja, infrastrukturë moderne. Ne do të reformojmë sistemin arsimor duke bërë atë të përshtatshëm për shekullin 21. Në shëndetësi do të funksionalizojmë sigurimet shëndetësore. Asnjë qytetar nuk do të mbetet pa trajtim mjekësor. Barnat esenciale do të jenë falas. Do të angazhohemi për rimëkëmbjen e sheshit të shatërvanit [në Prizren], rregullimin e unazës e qytetit, lidhjen e autostradës dhe hapjen e rrugës së re tranzitore”, theksoi Hamza.
Krahas kësaj, Hamza duke kërkuar votën në Prizren tha se PDK-ja ka një program realist “andaj qytetarët e kanë zgjidhjen e qartë për kënd të votojnë”.
“Në këto zgjedhje, zgjidhja është e qartë. Program realist, apo program fare. Punë me ekip apo spektakël i një personi. Ai që dëgjon apo ai që bërtet. Unitet apo përçarje. Padyshim se me program realist dhe punë ekipore duke dëgjuar kërkesat e qytetarëve dhe bashkuar për një Kosovë më të mirë”, shtoi Hamza.
Në anën tjetër, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke folur për Bedri Hamzën tha se ai është një lider që nuk ndan, por bashkon dhe që mban fjalën për premtimet e dhëna.
“Lider nuk është ai që ndan, por ai që bashkon. Lider është ai që jo vetëm premton, por vepron dhe realizon. Ai që nuk dorëzohet dhe justifikohet dhe që gjen gjithmonë një rrugë përpara. Bedri Hamza e di se çka do të thotë përgjegjësia. Ai e di që ekonomia nuk zhvillohet me fjalë, por me punë. Ai e di se vendimet e mëdha kërkojnë njerëz të guximshëm dhe dinjitetshëm siç është vet. Bedri Hamza do të kthejë dinjitetin e udhëheqjes që i shërben popullit dhe jo vetës. Me Bedri Hamzën fiton Kosova. Me PDK-në, Kosova ecë përpara. Prizreni i lavdisë dhe kulturës jepja shansin Bedri Hamzës se ai nuk do të tradhtojë kurrë besimin tuaj. Për këtë ua jap besën të gjithëve”, theksoi Krasniqi.
Kosova do të mbajë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt./KosovaPress