Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, e ka cilësuar përballjen e së dielës në Premier Ligë ndaj Arsenalit si një finale, duke thënë se një humbje do t’i jepte fund praktikisht shpresave të skuadrës së tij për titull, para ndeshjes shumë të pritur në stadiumin “Etihad”.
City ndodhet gjashtë pikë pas Arsenalit, por ka një ndeshje më pak, dhe një fitore do ta ngushtonte diferencën duke rritur presionin në fazën vendimtare të garës.
“Po, sigurisht. Nëse humbasim, gjithçka ka mbaruar. Nëse do të mund ta blinim vetëbesimin në supermarket, do ta blinim menjëherë. Është një nga aspektet më të rëndësishme” – tha ai në konferencë për shtyp.
Guardiola konfirmoi se Nico O’Reilly, i cili shënoi dy gola në fitoren 2-0 të Cityt ndaj Arsenalit në finalen e Kupës së Ligës, është në gjendje të mirë, pasi kishte shqetësime në kofshën e majtë në ndeshjen e fundit ndaj Chelseat.“Nëse luajmë si në pjesën e dytë për 95 minuta dhe ata luajnë po ashtu si në atë pjesë, ne do të fitojmë. Ndoshta jo, sepse futbolli është i paparashikueshëm” – tha Guardiola.
Guardiola theksoi se City duhet të përmirësohet edhe më shumë nëse dëshiron të mbetet në garë për titull në javët e fundit.
“Do të shohim çfarë do të ndodhë. Por nuk mbaron asgjë derisa të mbarojë, dhe ne jemi ende këtu. Jam krenar që vazhdojmë t’i sfidojmë” – përfundoi Guardiola.
KosovaPress