Siguria dhe stabiliteti në rajon nuk mund të arrihen pa përfshirjen aktive të grave në vendimmarrje. Kështu u tha gjatë Konferencës Rajonale të Dialogut me temën “Përkthimi i Marrëveshjeve të Paqes në Realitet: Gratë drejtojnë Paqen e Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor”, e organizuar nga Lobi Rajonal i Grave në Evropën Juglindore (RWLSEE) dhe INTEGRA, më 22 maj 2026 në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Aty, gratë nga Ballkani Perëndimor kanë bërë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të paqes dhe për pjesëmarrje të barabartë të grave në proceset formale të paqes, duke theksuar se paqja e qëndrueshme,
Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për rifillimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialogun e Brukselit në vitin 2023 dhe zbatimi i tyre i plotë, si parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë.
Në komunikatën për media bëhet e ditur se pjesëmarrëset ngritën shqetësime për ngecjen e zbatimit të marrëveshjeve të paqes, mungesën e grave në Dialogun e Brukselit dhe mungesën e dispozitave gjinore në marrëveshjet ekzistuese të paqes. Ato theksuan se përjashtimi i grave nga proceset formale të paqes dobëson përpjekjet për ndërtimin e stabilitetit afatgjatë.Bëhet e ditur po ashtu se në përfundim të konferencës u miratuan Mekanizmat në Hije të RWLSEE-së për monitorimin e zbatimit të marrëveshjeve të paqes të arritura në Bruksel. Këta mekanizma pritet t’i paraqiten lehtësuesit të Bashkimit Evropian për Dialogun e Brukselit, Peter Sorensen, si pjesë e bashkëpunimit të dakorduar më herët me Edita Tahirin.
Sipas organizatorëve, letra e Sorensenit ka konfirmuar formalizimin e këtij bashkëpunimi dhe krijimin e një lidhjeje zyrtare ndërmjet proceseve formale dhe joformale të paqes, me synim avancimin e paqes gjithëpërfshirëse dhe ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse në rajon.