Google po paditet në Mbretërinë e Bashkuar për deri në 5 miliardë funte dëmshpërblim për akuzat se ka mbyllur konkurrencën në tregun e kërkimit në internet dhe ka abuzuar me këtë dominim për të mbajtur çmime më të larta për reklamat, raporton The Guardian, transmeton KosovaPress.
Një padi kolektive e paraqitur në tribunalin e apelimit të konkurrencës të martën argumenton se kompania amerikane e teknologjisë ka marrë masa që i mundësojnë të ngarkojë çmime më të larta për promovimet që shfaqen në kërkimet në internet sesa mund të bëhej në një treg të ndershëm.
Padia është paraqitur nga eksperti i ligjit të konkurrencës Or Brook në emër të mijëra bizneseve dhe akuzon Google se ka siguruar që motorri i saj i kërkimit të ketë më shumë funksionalitete dhe veçori për ofrimin e reklamave të Google sesa ai i konkurrentëve të saj. Një zëdhënës i Google tha: “Ky është një tjetër rast spekulativ dhe oportunist – dhe ne do ta luftojmë atë me forcë. Konsumatorët dhe reklamuesit përdorin Google sepse është i dobishëm, jo sepse nuk ka alternativa”.
Brook tha se bizneset kishin pothuajse asnjë mundësi tjetër përveçse të përdornin reklamat e Google për të reklamuar produktet dhe shërbimet e tyre.
“Google ka shfrytëzuar dominimin e saj në tregun e kërkimit të përgjithshëm dhe atë të reklamave në kërkim për të mbajtur çmime më të larta për reklamuesit”.
Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve nisi një hetim në Mbretërinë e Bashkuar në janar për shërbimet e kërkimit të Google, duke përfshirë ndikimin e tyre në tregjet e reklamave. Ai tha në atë kohë se miliona njerëz dhe biznese varen nga shërbimet e Google, të cilat përbënin 90% të kërkimeve dhe ishin përdorur nga më shumë se 200,000 biznese në Mbretërinë e Bashkuar për të reklamuar, hetimi i të cilit është ende në vazhdim.