GLPS: Kosova rrezikon humbje të pakthyeshme financiare nga vonesat në zbatimin e Planit të Rritjes
Biznes
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
GLPS: Kosova rrezikon humbje të pakthyeshme financiare nga vonesat në zbatimin e Planit të Rritjes
GLPS 30062026
30/06/2026 - 12:05
Linku u kopjua

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka paralajmëruar se Kosova ka hyrë në një fazë ku vonesat në zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian po rrezikojnë humbje të pakthyeshme financiare.

Në një konferencë për media, menaxherja e programit në GLPS, Ema Pula, tha se 30 qershori shënon fundin e periudhës së fundit që i mundësonte Kosovës të shmangte humbjet financiare përmes zbatimit të reformave të parapara, raporton KosovaPress.

“Që nga sot, nuk ka më thjesht vonesa në ekzekutim të fondeve, por rrezikohen humbje të parikuperueshme financiare. Në diskutim janë 90.6 milionë euro të dedikuara për semestrin e dytë, me afat përfundimi deri më 30 qershor 2025. Pas kësaj periudhe, është praktikuar grace periudha njëvjeçare, ku gjatë së cilës qeveria dhe kuvendi kishin kohë shtesë për të zbatuar të tëra hapat për reformues në kuadër të kësaj të këtij semestri pa humbje financiare. Megjithatë, me përmbylljen e kësaj periudhe, pasojat financiare janë të konsiderueshme dhe të pakthyeshme. Dhe me shumë shpejt do të kemi një qartësi se sa nga këto mjete janë humbur përfundimisht. Ky proces nuk përbën vetëm çështje teknike apo administrative, por çështje të drejtpërdrejtë të interesit publik. Çdo euro e humbur do të thotë më pak investime në ekonomi, dobësim mbështetjes së reformave, fyerje të mundësive zhvillimore dhe cenim të besueshmërisë së Kosovës përmbushjen e detyrimeve evropiane”, deklaroi Pula.

Sipas saj, GLPS kishte paralajmëruar që në fillim të vitit 2025 se mungesa e veprimit institucional do të sillte pasoja financiare, por institucionet, siç tha ajo, i kishin mohuar këto rreziqe.

Ndërkohë, hulumtuesi në GLPS, Besar Gërgi, tha se mungesa e institucioneve plotësisht funksionale ka ndikuar drejtpërdrejt në zbatimin e reformave.

Ai tha se pas publikimit të raporteve zyrtare nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian do të bëhet e ditur shkalla e fondeve të përfituara, fondet e rrezikuara dhe reformat që kanë mbetur të papërmbushura.

“Duke konsideruar gjendjen aktuale, Grupi për Studime Juridike dhe Politike rithekson rekomandimet e saj për përmirësimin dhe përshpejtimin e zbatimit të agjendës së reformave përmes: themelimit të një task-force të dedikuar për koordinimin dhe zbatimin e reformave të planifikuara në kuadër të agjendës së reformave, prioritetizimit të qartë dhe të strukturuar të agjendës së reformave në qeverisje, dhe përpilimit të listës së ligjeve me prioritet dhe trajtimit të tyre pa humbur aspektin kualitativ si dhe konsultimet e rregullta të parapara me ligj. Formimi i institucioneve dhe koordinimi i qëndrueshëm institucional mbeten kushti kryesor për të siguruar përfitim substancial të fondeve të parapara në kuadër të planit të rritjes. Në këtë kuptim, GLPS thekson se stabiliteti institucional dhe ritmi i vendimmarrjes do të jenë faktorë përcaktues për shmangien e humbjeve të mëtutjeshme financiare”, deklaroi ai.

Ai paralajmëroi se çdo vonesë e mëtutjeshme në formimin e institucioneve mund të ndikojë drejtpërdrejt si në përfitimet financiare të vendit, ashtu edhe në avancimin e reformave që prekin funksionimin e institucioneve dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Në fund, GLPS u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet të plotë, duke theksuar se përgjegjësia publike matet me aftësinë për të mbrojtur interesin zhvillimor dhe financiar të qytetarëve të Kosovës.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026