Gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tash e pret vetëm e shpalljen e aktgjykimit. Ndërsa, avokatë të akredituar në Hagë shprehin besimin se vendimi i shkallës së parë do tëshpallet brenda një afati të arsyeshëm prej tre deri pesë muajsh, pavarësisht vëllimit të madh të provave dhe dëshmitarëve.
Avokati, Tahir Rrecaj vlerëson se trupi gjykues do t’u përmbahet afateve dhe se vendimi i shkallës së parë nuk pritet të vonohet më shumë se pesë muaj.
““Po, unë besoj që ata do t'i përmbahen atyre afateve kohore, duke pasur parasysh se rasti është shumë voluminoz, ka shumë dëshmitarë, ka shumë prova materiale. Besoj që ata do t'i përmbahen atij afati, brenda tre muajve, eventualisht brenda pesë muajsh, ta përfundojnë marrjen e vendimit, aktgjykimit dhe ta shpallin aktgjykimin, që shpresoj që ai aktgjykim të jetë lirues sepse nga ajo që kam përcjellë këtë proces gjyqësor, nuk rezulton që akuzat e Prokurorisë dhe pretendimet e Prokurorisë të rezultojnë me një aktgjykim fajësues për zotin Thaçi dhe për të tjerët....03’57 Unë besoj shumë që nuk do të shtyhet më tepër se pesë muaj marrja e vendimit përfundimtar, për shkak se trupi gjykues edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor duhet t'i analizojë, t'i shqyrtojë, t'i vlerësojë. Ashtu që kanë njohuri pothuajse të mjaftueshme lidhur me gjithë procesin, se çfarë ka ndodhur, po tani duhet me bërë analizat e provave, krahasime, dëshmive, dëshmitarëve, besueshmëria e tyre e gjëra të tjera që një periudhë kohore prej pesë muajsh është jashtëzakonisht e mjaftueshme”, deklaroi Rrecaj.
Mendim të njëjtë ka edhe kolegu i tij, Skënder Musa. Megjithatë, ky beson se nuk do të ketë nevojë për afate shtesë dhe se vendimi duhet të jetë i drejtë dhe i ligjshëm.
Krahasuar me kohën që iu është dashur gjyqtarëve për të shpallë aktgjykimet në rastet e ngjashme, avokatët theksojnë se bazuar në praktikat e gjykimeve për krime lufte që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, vendimet gjyqësore zakonisht janë shpallur brenda një periudhe tre mujore pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor.
Një afat i tillë avokati Musa pret që të ndiqet edhe në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Rrecaj që dikur ishte gjyqtar, thekson se çdo rast është specifik dhe kërkon kohë të mjaftueshme për analizimin e të gjitha provave materiale e dëshmitare.
“ Secili rast është specifik, prandaj krahasime të tilla nuk mund të bëhen. Ndoshta mund të bëhen përafërsisht krahasime, por secili rast është specifik dhe trupi gjykues vlerëson se sa i duhet kohë që t'i analizojë, t'i vlerësojë të gjitha ato prova, provat materiale, personale dhe të marrë një vendim në fund të shqyrtimit gjyqësor”, thotë avokati.
Edhe në ditën e mërkurë kur iu dha fjala katërshja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan sërish të pafajshëm për akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vitesh, për secilin nga ish-krerët e UÇK-së.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.