Dy orë pas përfundimit të procesit zgjedhor, Aleanca mbajti konferencë për media.
Kandidati i saj për kryeministër, Ardian Gjini, tha se besimi i dhënë ndaj kësaj partie do të respektohet maksimalisht.
“Kurrë nuk kanë me u penduar për votën e vet. Për ne, kjo është një nisje e jashtëzakonshme, edhe të gjithë ata që i kanë besuar asaj që e kemi thënë gjatë kësaj fushate, që besojnë në të ardhmen e Kosovës, që besojnë në një Kosovë që duhet me u bërë mirë për qytetarët e vet, nuk kanë me u penduar kurrë. Kemi me punuar shumë që vota e tyre edhe vullneti i tyre me na votuar kemi me e respektuar maksimalisht. Pavarësisht që kjo garë zgjedhore është mbajtur në një terren absolutisht jo fer, ku janë përdorur të gjitha mjetet e mundshme për me e kthyer rezultatin në favor të pushtetit, prapëseprapë qytetari i Kosovës ka treguar që e kupton të gjithën, ka treguar që e do vendin e vet. Kjo që ne e përfaqësojmë, patjetër që një ditë do të fitojë”, u shpreh Gjini.
Ai shtoi se rezultatet aktuale janë ende preliminare dhe se duhet pritur përfundimi i numërimit për të pasur një pasqyrë të plotë të rezultatit zgjedhor.Në fund të adresimit, Gjini përcolli mesazhin e tij për qytetarët me fjalët: “Duajeni Kosovën”.