Gjini kritikon VV-në: Kosova është në tren të gabuar me këta njerëz
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Gjini kritikon VV-në: Kosova është në tren të gabuar me këta njerëz
Ardian-Gjini1234
05/06/2026 - 21:33
Linku u kopjua

Në ditën e 8-të të fushatës zgjedhore  Aleanca ka mbajtur tubim zgjedhor në Pejë, ku kandidati për kryeministër Ardian Gjini, ish-kryetari Ramush Haradinaj dhe kandidatë për deputetë kanë kërkuar mbështetjen e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit.

Kandidati i Aleancës për kryeministër, Ardian Gjini, tha se Kosova ndodhet në një periudhë të vështirë zhvillimi dhe se vendit i nevojitet ndryshim i kursit politik.

“Pejë, a doni edhe nja katër vjet me fol për burim, a doni me i kryer? Me i kryer. Atëherë vnonia veshin të dielën se nëse shkon qysh ka shkuar herën e kaluar, po ju garantoj që keni me folur edhe nja katër vjet, e kurgjo s'ka me ndodhë. A po e doni autostradën e Dukagjinit? A po doni me folur për të? …Kosova me të vërtetë është duke kaluar ditë të zorshme, periudhë të zorshme të zhvillimit të vet. Periudhë në të cilën iniciativa e secilit njeri është shtypur për shkak se qeveriset prej njerëzve që mendojnë që duhen me qenë vetë përmbi gjithçka, që e kuptojnë zhvillimin e demokracisë prej kohës kur nuk ka ekzistuar. Që mendojnë që dikush që qeveris duhet me qenë xheloz edhe në Dua Lipën, se i pengon suksesi i dikujt edhe në punë të veten. Se duhet me qenë xheloz në Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën, domethënë, veç që nuk bën dikush me i mbërri majat e suksesit në zanat të vetin, në punë të veten, e në shkathtësi të veten, e në talent të vetin. Që këtë e kemi sot në Kosovë. Që nuk bën me e parë një ndërmarrës t'u rritet, t'u zhvilluar se s'bën, se shefi duhet me qenë më i madhi, duhet mu qenë më i madh se Rita, më i madh se se bizneset, më i madh se gjithkush edhe e keni parë. Këto janë mënyrat qysh e ngulfasin jetën e njerëzve, e mysin iniciativën edhe nuk e lejojnë një popull mu çuar në këmbë, me u zhvilluar. “, tha Gjini.

Në fjalimin e tij para qytetarëve, Ardian Gjini kritikoi qeverisjen aktuale, duke e krahasuar drejtimin e Kosovës me një “tren të gabuar”. Ai tha se vendi ndodhet në një rrugë të gabuar politike dhe se qytetarët duhet të marrin vendimin për ta ndryshuar këtë kurs, ashtu siç kanë bërë shumë popuj të tjerë në momente të rëndësishme të historisë së tyre.

“Të gjithë popujt e botës e kanë një moment kthese kur vendosin me e ndërruar drejtimin edhe me shkuar në drejtim që duhet, e kanë një moment kur vendosin me zbrit prej trenit të gabuar, 100 herë e kam thënë. Kosova është në tren të gabuar me këta njerëz, edhe kur është në tren të gabuar, krejt stacionet kanë me ardhur të gabuara se ky drejtim i gabuar, o treni i gabuar“, u shpreh Gjini.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin Aleancën dhe kandidatët e saj, duke theksuar se vetëm përmes kësaj force politike mund të hapet një rrugë e re zhvillimi për vendin.

Para qytetarëve pejanë, Ramush Haradinaj tha se në Pejë po ndihej njësoj si në ditën kur ishte kthyer nga Haga, duke kujtuar se qyteti i parë që kishte vizituar pas kthimit kishte qenë pikërisht Peja.

“E duam këtë vend, nuk kemi tjetër. E duam Pejën, se s'kemi Pejë tjetër. Nuk ka Pejë tjetër, një është. Atëherë, nëse e duam vendin, çka na duhet me e çuar vendin përpara? Besoni, po vij i lumtur këtu para juve, si atë ditë që jam kthyer prej Hage. Ka qenë gëzim i madh me dalë prej atyre padrejtësive. Nuk u thonë veç mureve. Po po vij i gëzuar se e kemi njeriun që na prin, e kemi Ardian Gjinin. Është i krijuar, është i krijuar për këtë kohë Pejë. Është i krijuar për këtë kohë, shumë prej juve e njihni se ka pasur komunikim me ju. Po besoni është i krijuar për këtë kohë…Është njeri i krijuar jo veç në dije të nivelit tonë, të Kosovës, po është i krijuar me një dije globale edhe në politika globale. Po ashtu e njeh qeverisjen edhe ka ka kryer, pra, detyrat qeverisëse, si në nivel qendror si tani në Gjakovë. Edhe diçka, po është është modest, po është modest. Një prej arsyeve pse njerëzit ndoshta nuk i dinë krejt vlerat e Ardianit është se nuk bën zhurmë, nuk vetëlavdërohet, nuk flet për vete.”, u shpreh Haradinaj.

Ramush Haradinaj shprehu mbështetjen e tij për Ardianin, duke vlerësuar qasjen e tij në politikë dhe angazhimin për punë konkrete.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026