Gjesti fisnik i Vëllaznimit për të mbijetuarat të dhunës seksuale
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gjesti fisnik i Vëllaznimit për të mbijetuarat të dhunës seksuale
Lulja
02/03/2026 - 14:04
Linku u kopjua

Klubi i futbollit Vëllaznimi ka ndërmarrë një nismë të jashtëzakonshme sensibilizuese, duke vendosur simbolin e "Lules së verdhë" në mes të fanellave të veta në vend të sponsorit gjeneral.

Ky vendim, i cili do të zgjasë deri në fund të sezonit, vjen si shenjë nderimi dhe solidariteti për të gjitha gratë që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Përmes këtij veprimi, klubi kuqezi nga Gjakova synon të përdorë fuqinë e sportit për të përcjellë një mesazh të fuqishëm për dinjitet dhe kërkim të drejtësisë.

Në njoftimin zyrtar të klubit, lulja përshkruhet si një simbol që do të mbahet me krenari për t'u siguruar që zëri i të mbijetuarave të mos harrohet kurrë.

“Si shenjë respekti dhe solidariteti, do ta mbajmë lulen e verdhë anemonë në fanellat tona. Qëndrojmë së bashku për të mbrojtur dinjitetin e tyre dhe për të kërkuar drejtësi, duke u siguruar që zëri i tyre të mos harrohet kurrë”, shkruan faqja e Vëllaznimit, duke transformuar kështu uniformën sportive në një mjet ndërgjegjësimi shoqëror.

Ky gjest është mirëpritur gjerësisht nga opinioni sportiv, duke e lartësuar klubin gjakovar jo vetëm për lojën në fushë, por edhe për vlerat njerëzore që përfaqëson.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026