Gjermania ka problem me islamofobinë, pranon ministrja e Brendshme gjermane
Lexohet për: 2 min.
Gjermania
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë të martën pranoi se ekziston një problem islamofobie në vend dhe premtoi masa më të forta për ta luftuar atë, pasi kërcënimet dhe krimet e urrejtjes kundër myslimanëve janë rritur në muajt e fundit.

“Në Gjermani pothuajse çdo i dyti pajtohet me deklaratat islamofobike, dhe unë e them këtë qartë, ne kemi një problem të islamofobisë në Gjermani gjithashtu,” tha Nancy Faeser në Konferencën Gjermane të Islamit.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të komuniteteve myslimane dhe organizatave të emigrantëve, Faser tha se qeveria është e vetëdijshme për problemin dhe ata janë duke shqyrtuar rekomandimet e ekspertëve për të marrë masa të reja.

“Për shumë myslimanë në Gjermani, kërcënimi për t'u bërë viktimë e sulmit antimysliman është bërë një realitet i përditshëm. Kjo ka një ndikim katastrofik në ndjenjën e sigurisë së njerëzve, ne nuk mund ta pranojmë këtë”, tha politikania socialdemokrate.

“Të gjithë njerëzit në Gjermani kanë të drejtë të jetojnë në siguri dhe të gëzojnë liritë demokratike, që do të thotë se ne do të tregojmë zero tolerancë ndaj armiqësisë ndaj myslimanëve, ekstremizmit të djathtë, antisemitizmit, racizmit dhe formave të tjera të mizantropisë”, shtoi ajo.

Komunitetet myslimane të Gjermanisë raportuan një rritje të krimeve islamofobike të urrejtjes që nga përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Hamas muajin e kaluar, i shkaktuar nga mbulimi i njëanshëm mediatik i zhvillimeve të fundit dhe propaganda nga politikanët e ekstremit të djathtë.

Me një popullsi prej mbi 84 milionë banorësh, Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore pas Francës. Në mesin e afro 5.3 milionë myslimanëve të vendit, 3 milionë janë me origjinë turke. /AA

Gjermania mbështet dekarbonizmin e sektorit energjetik në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025