Kancelari gjerman Olaf Scholz sot në Bundestag siguroi mbështetjen e plotë të Izraelit pas sulmit të Hamasit dhe njoftoi ndalimin e mbështetjes për këtë organizatë terroriste në Gjermani, si dhe ndalimin e organizatës Samidoun që vazhdimisht bën thirrje për protesta antisemite.
"Ne dënojmë dhunën e terroristëve në termat më të fortë... Izraeli ka të drejtën e garantuar nga ligji ndërkombëtar për të mbrojtur qytetarët e tij nga ky sulm barbar," tha kancelari gjerman Olaf Scholz (Partia Social Demokratike e Gjermanisë SPD) duke iu drejtuar deputetëve gjatë seanca e jashtëzakonshme e Bundestagut kushtuar ngjarjeve aktuale në Izrael.
Kancelari gjerman ka njoftuar ndalimin e çdo forme të mbështetjes për Hamasin në Gjermani, siç është mbledhja e ndihmës financiare. Në të njëjtën kohë, ai njoftoi ndalimin e organizatës Samidoun, e cila deri më tani në Gjermani, nën maskën e ndihmës së të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, organizonte protesta që rezultuan në incidente të shumta antisemitike.
Këtë javë, policia në Berlin ndaloi tri protesta që Samidoun u përpoq të organizonte, pasi anëtarët e asaj organizate festuan hapur në rrugët e Berlinit të shtunën, pas sulmit terrorist në Izrael. Në të njëjtën kohë, u rrit shkalla e sigurisë së objekteve hebraike dhe izraelite në Gjermani.
Lideri i Unionit të opozitës CDU/CSU Friedrich Merz bëri thirrje për një luftë më të qëndrueshme kundër antisemitizmit dhe i quajti skenat e festimit të emigrantëve arabë në Gjermani "të padurueshme" pas sulmit të Hamasit.
Përfaqësuesi i Partisë Liberal Demokratike (FDP) në pushtet Christian Duerr dërgoi një mesazh paralajmërues për emigrantët. "Askush nuk është i mirëpritur që vjen në Gjermani për të nxitur kundër Izraelit," tha Duerr.
Në fjalimin e tij, Scholz dënoi ashpër Iranin për mbështetjen e terroristëve në Rripin e Gazës dhe mbrojti një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit. Kancelari gjerman dënoi gjithashtu presidentin e territorit autonom palestinez të Bregut Perëndimor, Mahmud Abbas, për mungesën e reagimit ndaj sulmeve të Hamasit.
"Ku është dënimi i dhunës terroriste? Heshtja juaj është e turpshme," tha Scholz dhe njoftoi një "rishikim të plotë" të bashkëpunimit dhe ndihmës për territoret palestineze.
Izraeli u përgjigj me sulme të vazhdueshme ajrore në enklavën bregdetare me popullsi të dendur. Më shumë se 1.200 njerëz në secilën anë u vranë.