Një “fushë me mbetje” është zbuluar nga një robot nënujor që po bënte kërkim afër rrënojave të anijes “Titanik”, për një nëndetëse të humbur në atë zonë.
“Ekspertët po e vlerësojnë këtë informacion”, ka thënë Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Twitter.
Nëndetësja me pesë turistë në bord u nis të dielën drejt rrënojave të Titanikut, por humbi kontaktin një orë e 45 minuta pas nisjes. Ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën pasi nëndetëses besohet se i kanë mbetur vetëm disa orë furnizime me oksigjen.
Nëndetësja Titan, që operohet nga kompania me seli në Shtetet e Bashkuara, OceanGate, ishte nisur drejt anijes së fundosur Titanik të dielën në orën 08:00 sipas kohës lokale. Nëndetësja humbi kontaktin me anijen mbështetëse më pak se dy orë pas nisjes drejt Titanikut në Oqeanin Atlantik, shkruan REL.