Në gjashtëvjetorin e vrasjes të heroit Qerim Kelmendi, familja Kelmendi reagoi që kjo vrasje mbetet e pazbardhur.
Në reagim theksohet se nuk do të hiqet dorë nga kërkimi i drejtësisë, në të kundërtën do të kërkohet përgjegjësi ligjore dhe institucionale për dështimet e deritanishme.
Përgjatë jetës së tij, Qerim Kelmendi ka qenë objekt i fushatave të vazhdueshme të shpifjes dhe etiketimit publik, me një diskurs që ngjasonte me propagandën kriminalizuese të regjimit jugosllav dhe serb para luftës. Në këtë kontekst, e konsiderojmë të domosdoshme t’ua rikujtojmë mediave dhe opinionit publik një fakt juridik të pakontestueshëm: nga përfundimi i luftës e deri në ditën e vrasjes, Qerim Kelmendi nuk është thirrur, ndaluar, intervistuar apo marrë në pyetje asnjëherë nga Policia e Kosovës apo nga Prokuroria e Kosovës, për çfarëdo dyshimi për ndonjë vepër penale.
Ky fakt ka peshë juridike dhe publike, sepse sipas parimit të prezumimit të pafajësisë dhe standardeve të shtetit të së drejtës, shpifja publike pa bazë institucionale përbën cenim të së vërtetës, dëmton reputacionin e viktimës dhe familjes, si dhe ndihmon drejtpërdrejt në mjegullimin e hetimit penal.
Sa i përket trajtimit të rastit në Prokuroria Speciale e Kosovës, faktet janë këto:
– Prokurori i parë i rastit, Haki Geci, e mbajti lëndën për rreth tre vite pa veprime të dukshme hetimore dhe doli në pension pa rezultat konkret.
– Prej dy vitesh, rasti është në kompetencë të prokurores Arbëresha Raça Shala, pa asnjë informim zyrtar për masa konkrete hetimore apo rezultate të matshme.
Kjo situatë krijon dyshim të arsyeshëm për shkelje të parimit të efikasitetit procedural dhe të së drejtës së familjes për të ditur të vërtetën mbi rezultateve hetimore.
Qerim Kelmendi ka qenë i përndjekur që nga fëmijëria për veprimtari çlirimtare; si student është arrestuar, burgosur dhe torturuar nga strukturat e regjimit jugosllav, përfshirë bashkëpunëtorë shqipfolës të atij regjimi, është gjykuar në mungesë me 12 vjite burg nga Gjykata serbe e Prishtinës, në dhjetor 1997. Edhe familja jonë ka qenë e persekutuar për shkak të angazhimit të tij, si një nga guerilët e parë të UÇK-së, i plagosur në aksion çlirimtar. Këto fakte përbëjnë motiv të qartë politik, i cili duhej të ishte trajtuar si pistë prioritare hetimore.
Në këtë kontekst, mungesa e veprimeve konkrete, zvarritja dhe heshtja institucionale përbëjnë neglizhencë serioze dhe janë të papranueshme për një rast me peshë të lartë publike, historike dhe politike.
• të kërkojnë transparencë minimale ligjore mbi veprimet hetimore;
• të kërkojnë llogaridhënie institucionale për vonesat e pajustifikuara;
Familja Kelmendi nuk do të heqë dorë nga kërkimi i drejtësisë. Ne kërkojmë zbardhjen e plotë dhe gjykimin e krimit. Në të kundërtën, do të kërkojmë përgjegjësi ligjore dhe institucionale për dështimet e deritanishme”, thuhet në letrën e Man Kelmendit në emër trë familjes Kelmendi.