Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se reforma e re në sistemin e drejtësisë në Kosovë pritet të sjellë ndryshime thelbësore në disiplinimin dhe rritjen e llogaridhënies së gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke vendosur, sic ka thënë ajo, standarde të reja për integritet dhe profesionalizëm.
Pas përmbylljes së diskutimeve treditore me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, është avancuar pakoja e projektligjeve që synojnë rregullimin më të rreptë të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, thuhet në një njoftim që ka bërë Gërvalla në Facebook.
Një tjetër element i rëndësishëm është vendosja e mundësisë për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune apo profesionalizmi, çështje që deri më tani nuk ka qenë e rregulluar në mënyrë të qartë me ligj.
Po ashtu, reforma parasheh edhe vendosjen për herë të parë të një sistemi të mirëfilltë për vlerësimin e performancës së tyre, duke synuar rritjen e efikasitetit dhe cilësisë në dhënien e drejtësisë.Reforma konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt luftimit të pandëshkueshmërisë dhe forcimit të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, duke synuar ndërtimin e një sistemi më të përgjegjshëm, transparent dhe profesional.
Projektligjet pritet të procedohen së shpejti për miratim në Qeveri dhe Kuvend, në kuadër të agjendës së reformave që lidhen edhe me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian./KosovaPress/