Gjini: Kush
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur qëndrimin zyrtar dhe të prerë të partisë karshi procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri dhe formimit të pushtetit të ardhshëm. Gjini sqaroi se kërkesat e prezantuara në konferencën për media janë parime shtetërore, e jo kushte bllokuese për interesa personale apo partiake, duke mohuar zërat se ato bëhen për kalkulime pozitash.
Gjini potencoi se këto kushte do të mbeten në fuqi pavarësisht emrit të kandidatit për president, pasi qëllimi i vetëm i Aleancës është nxjerrja e vendit nga kriza e thellë politike dhe ekonomike. Ai theksoi se refuzimi i këtyre pikave do të sillte pasoja të rënda për vendin.
“Orientimi strategjik dhe gazi amerikan: pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si projekt i rëndësisë jetike për orientimin afatgjatë të shtetit. Pavarësia energjetike: nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit me thëngjill, për të garantuar zhvillim ekonomik dhe ulje të inflacionit. Lehtësime për bizneset e vogla: ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për të çliruar potencialin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Mbështetje për bujqësinë: lirimi i plotë i tokës së punuar nga tatimi në pronë, me qëllim nxitjen e punimit të tokës dhe përkrahjen direkte të bujqve. Buxhetimi i infrastrukturës: financimi i plotë buxhetor i projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve. Fondi emergjent për kryeqytetin: ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro për Prishtinën, e cila, sipas tij, po bëhet e pajetueshme në mungesë të investimeve kapitale”, ka thënë Ardian Gjini në RTV 21.