FSHF del me rezolutë kundër dhunës dhe pushtimit ushtarak rus në Ukrainë
Lexohet për: 2 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Këtë të mërkurë nisën punimet për Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të Zakonshme të FSHF-së, që do të mbyllen më 15 mars, kur edhe do të zgjidhet Presidenti i FSHF-së dhe anëtaret e Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.

Në mbyllje të punimeve të ditës së sotme, u paraqit një rezolutë, që ka të bëjë me situatën tejet të  rëndë të krijuar në Ukrainë për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë. Federata Shqiptare e Futbollit, në emër të të gjithë komunitetit të këtij sporti në Shqipëri shpreh solidaritetin me popullin ukrainas dhe është gjatë gjithë kohës në kontakt me Federatën Ukrainase për të bërë të mundur pritjen dhe strehimin në Shqipëri të disa familjeve të futbollistëve. Kjo rezolutë u miratua me unanimitet të plotë.

Kjo është rezoluta e FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit, në emër të të gjithë komunitetit të këtij sporti në Shqipëri, shpreh solidaritetin e saj ndaj popullit të Ukrainës dhe në mënyrë të veçantë, ndaj njerëzve të futbollit dhe familjeve të tyre. Në këtë moment të vështirë për ta, të shkaktuar nga invazioni ushtarak rus, ne gjejmë rastin të tregojmë solidaritetin tonë njerëzor dhe të ngremë zërin e fuqishëm të protestës, duke ju bashkuar, të gjithë progresistëve dhe paqedashësve, kudo në botë:

Ndal dhunës dhe pushtimit ushtarak! Ndal luftës që sjell vetëm shkatërrim dhe viktima! Respekt ndaj sovranitetit të Ukrainës!

Ne urojmë shumë, që sa më shpejt, e mira të triumfojë dhe udhëheqja ruse të dëgjojë zërin e arsyes dhe këshillat e të gjithë komunitetit botëror për t’u tërhequr ushtarakisht nga Ukraina. Federata Shqiptare e Futbollit është në kontakt me Federatën Ukrainase për të bërë të mundur pritjen në Shqipëri, të disa familjeve të  futbollistëve nga ky vend në shenjë mbështetjeje humane dhe solidariteti njerëzor.

Jemi të bindur se e mira do të triumfojë dhe lutemi që vëllezërit tanë në Ukrainë ta kalojnë këtë periudhë të vështirë që sjell vetëm lufta dhe konfliktet e armatosura.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025