Franca eliminon Paraguain pas një ndeshjeje kaotike
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Franca eliminon Paraguain pas një ndeshjeje kaotike
New Project - 2026-07-05T122450.432
05/07/2026 - 12:26
Linku u kopjua

Franca ka siguruar një vend në çerekfinale të Botërorit pas një fitoreje të vështirë 1-0 ndaj Paraguait, në një përballje të tensionuar të raundit të 16-tave që u shndërrua në kaos për shkak të taktikave të ashpra dhe provokimeve të vazhdueshme nga kombëtarja e Amerikës Latine.

Lojtarët paraguajanë përdorën çdo metodë të mundshme për të nxjerrë nga blloku "Gjelat", duke përfshirë simulimet, dëmtimin e pikës së penalltisë dhe goditjet pa top ndaj lojtarëve si Dayot Upamecano dhe Jules Kounde.

Pavarësisht lojës së rëndë, gjyqtari Ilgiz Tantashev mbylli sytë duke mos ndëshkuar asnjë lojtar të Paraguait me karton të verdhë brenda 90 minutave.

Kjo sjellje ka nxitur reagime të ashpra në studion e BBC-së, ku analistët nuk kursyen kritikat e rënda për humbësit.

"Lojtarët e Paraguait ishin një turp i vërtetë sonte. Po të ishin në skuadrën time, do t'i tërhiqja zvarrë gjysmën e tyre jashtë fushës. Nuk do të dëshiroja kurrë të fitoja në atë mënyrë," deklaroi ish-portieri i Anglisë, Joe Hart.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Micah Richards, i cili u shpreh i zhgënjyer pasi Paraguai kishte treguar potencial të madh kur eliminoi Gjermaninë.

"Të gjitha ato taktika dhe sjellje të fëlliqura që treguan... nuk kishin nevojë t'i bënin. Ishte turpëruese ta shihje atë skenë," shtoi Richards për BBC.

Ish-mesfushori gjerman, Thomas Hitzlsperger, shkoi edhe më tej duke thënë se ka humbur çdo respekt për këtë skuadër:

"Nëse je nga Paraguai ndoshta i sheh si luftëtarë, por si asnjëanës, kjo që pamë nuk është thjesht e turpshme, është edhe më keq. Është mrekulli që Mbappe dhe të tjerët dolën nga fusha pa u dëmtuar."

Heroi i ndeshjes, Kylian Mbappe, i cili realizoi golin e fitores nga pika e bardhë, u kundërpërgjigj me tone të ashpra pas ndeshjes kur u pyet për tensionin në fushë.

"Nëse na thonë 'shkoni në p*** të s***', edhe ne do t'u themi të njëjtën gjë. Më falni për shprehjen. Ata menduan se ne do të zbrisnim në fushë me smoking, duke bërë lëvizje të bukura e pasime. Ne dimë të luajmë edhe futboll të ashpër. Dhe këtë bëmë sot – fituam," tha Mbappe.

Pas këtij triumfi ku tregoi edhe karakterin e fortë, Franca do të përballet me Marokun në fazën çerekfinale të këtij Botërori.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026