Formimi i institucioneve, Kurti iu dërgon letër për takim Hamzës, Abdixhikut dhe Gjinit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Formimi i institucioneve, Kurti iu dërgon letër për takim Hamzës, Abdixhikut dhe Gjinit
Albin Kurti 15maj26
Foto Arkiv
09/07/2026 - 14:38
Linku u kopjua

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar letër për takim liderëve të partive parlamentare për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja.

Këtë për KosovaPress e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Fatlum Jashari.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së”, tha Jashari për KosovaPress.

Ftesa e Kurtit ndaj kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, vjen një ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore të 7 qershorit.

Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.

Certifikimi i rezultateve do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, ku Kuvendi ka afat tridhjetë ditë që të mblidhet për t’u konstituuar.

Krahas konstituimit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet të zgjedhin edhe presidentin e vendit. /E. Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026