Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u tregua mjaft i vendosur kur u pyet për reagimin e mundshëm ndaj provokimeve apo thirrjeve eventuale kundër Kosovës në stadiumin e Bratisllavës në konferencën para mediave.
Tekniku gjerman bëri të qartë se prioriteti i tij është vetëm fitorja.
Nga ana tjetër, menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, u ndal te kushtet organizative dhe ato atmosferike, duke konfirmuar se ekipi është i përgatitur për çdo skenar. Ndonëse priten reshje shiu që mund të rëndojnë gjendjen e fushës, Shala theksoi se kjo nuk do të shërbejë si arsyetim pasi kushtet do të jenë të njëjta për të dyja palët.
Gjithashtu, sa i përket sigurisë dhe rregullave në stadium, ai sqaroi se mjetet dhe simbolet kombëtare do të lejohen vetëm brenda tribunave gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke bërë thirrje për respektimin e protokolleve të organizatorit.