Fjalët përfundimtare për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri, Prokuroria kërkon dënim për të pandehurin
Lajme
Lexohet për: 9 min.
Dëgjoje me zë...
Fjalët përfundimtare për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri, Prokuroria kërkon dënim për të pandehurin
22/05/2026 - 20:24
Linku u kopjua
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, u mbajt seanca e fjalëve përfundimtare në rastin e vrasjes së 19-vjeçarit Ardit Zymeri, ku i pandehuri Bleon Dibrani akuzohet se më 23 mars 2025 e ka privuar nga jeta viktimën.
Në fjalët përfundimtare janë dëgjuar edhe një herë eksperti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka, eksperti i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, Fejsal Lutfiu, si dhe eksperti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës,Arsim Gashi.
Naim Uka, ekspert nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, njoftoi për gjetjet mjekoligjore në këtë rast.
"Gjatë interpretimit të gjetjeve mjekoligjore, vetë fakti i prezencës së faktorëve plotësues të qitjes në regjionin e shpinës së gishtit të parë të dorës së majtë, me besueshmëri konstatohet se ka qenë plaga e parë gjatë incidentit në fjalë”, tha Uka.
Ai shtoi se në plagën me numër pesë edhe gjatë ekzaminimit të jashtëm kufomor ka vazhduar gjakderdhja.
“Plaga me numër pesë, e cila është e evidentuar në regjionin e majtë të jashtëm të shpinës, rreth 9.5 cm nën plagën paraprake me numër katër, e cila është e evidentuar rreth 129 cm nga shputa e këmbës dhe 19 cm nga nënsqetulla e majtë... 19 cm me përmasa rreth 1.7 me 1.7 cm. Me formë të çregullt dhe përngjyrim të kuqe e cila edhe gjatë ekzaminimit të jashtëm kufomor ka vazhduar të gjakderdhë”, shtoi ai.
Ndërsa, doktor Arsim Gashi nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës deklaroi se tek i ekzaminuari nuk janë gjetur elemente të natyrës psikike që do të ndikonin në zvogëlimin e aftësisë mendore.
“Në pjesën e konstatimit, në faqen e fundit të ekspertizës, paragrafi i dytë, theksohet se në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, tek i ekzaminuari nuk janë gjetur elemente të natyrës psikike, që do të ndikonin në uljen e aftësisë mendore për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta. Dhe kjo nënkupton përgjigjen se sikur të ishin gjetur elemente të çfarëdo lloj natyre, do të ishin që do të ndikonin në zvogëlimin e aftësisë mendore, do të specifikoheshin në ekspertizë”, tha Gashi.
Fejsal Lutfiu nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë tha se qitja ishte bërë nga distanca mbi një metër.
“Qitja është e shtënë nga distanca, mbi një metër. Plumbi ka temperaturë që bën edhe, domethënë, djegie të lëkurës. Por kur kalon me një me një rezistencë, për shembull rroba të thjeshta, domethënë temperatura bie dhe shkaktohet në rezistencën e parë. Temperatura bie duke vazhduar, duke përshkuar në trup pa djegie. Mbi 1 metër apo siç quhet nga distanca. Kur kam thënë nga distanca, tani kam marrë për bazë edhe mekanizmin e armës se si vepron pas qitjes. Pas qitjeve, domethënë, po, dhe i bëjmë këto supozime. Kjo është bazuar duke e eksperimentuar me një armë të kalibrit të njëjtë, të konvertuar ku kemi regjistruar se arma në një qitje normale, në një kënd drejt, pothuajse drejt, hedhjen e gëzhojave e bën në anën e djathtë. Në një lartësi e bën 2 deri 3 metra dhe domethënë fillon nga këndi 30 shkallë (nëse marrim zero, dhe ky është 90), nga 30 dhe mbrapa deri në 270 shkallë. Ose, për orientim më të lehtë, është nga akrepat e orës 2 deri në akrepat e orës 4-5”, tha Lutfiu.
Avokatja e të pandehurit, Fatmire Braha, gjatë fjalës përfundimtare e pyeti sërish Bleon Dibranin lidhur me raportin që kishte pasur me viktimën, kërcënimet e pretenduara dhe ngjarjet e natës kritike.
“Po, e kam njohur përmes rrjeteve sociale. Po, unë kam pasur kërcënime vazhdimisht në rrjete sociale. Jo, nuk e kam raportuar se kam dashur t‘i kryej problemet në rrjete sociale. Para se me ndodhë rasti kam qenë duke punuar. Kur e kam përfunduar punën, kam dalë dhe kam shkuar te lokali “Mersi“, aty kam takuar shokun tim Valonin dhe kemi pirë kafe bashkë. Po, më ka ardhur një mesazh nga kolegu i punës dhe më ka thënë që "ruaju se Arditi është duke të kërkuar, ke edhe te puna". Atë natë kur kam dalë me pi kafe, kur kam dalë prej kafes e kam parë atë, e kam parë me shokët e tij në veturë“, tha Dibrani.
Tutje, mbrojtja ngriti çështjen e momentit kur viktima, sipas të pandehurit, kishte dorën në xhep, duke pyetur nëse kjo i kishte shkaktuar frikë atij në ato çaste.
“Jo, nuk ka qenë e planifikuar. Asnjëherë nuk e kam pasur ndërmend ta privoj nga jeta ose për të gjuaj. Unë armën e kam mbajtur vetëm nëse më del përpara për ta frikësuar. Po atë natë kur e kam parë duke vrapuar drejt meje, me njërën dorë në xhep, kam menduar që ka pasur armë, kam qenë i frikësuar edhe veç kam gjuajt“, tha Dibrani.
Në fjalët përfundimtare është deklaruar edhe babai i viktimës, Sami Zymeri, i cili tha se familja po përballet me dhimbje të madhe pas humbjes së djalit të tyre.
“Ai kurrë nuk ka sjellë te prindërit dhe te familja probleme. Unë personalisht kam probleme shumë të mëdha se jemi njerëz, i kuptoni edhe ju gjërat e dhimbshme, por unë nuk di çfarë të them. Unë ia lë shtetit, edhe nuk kam, nuk e di as vetë se çfarë të them”, tha Zymeri.
Prokuroria e rastit, Fetije Bajrami, në fjalët përfundimtare tha se i pandehuri kishte ndërmarrë të gjitha veprimet për kryerjen e veprës penale dhe kërkoi që ai të shpallet fajtor.
“Pasi që në rastin konkret, i pandehuri ka kryer vepër penale dhe i ka ndërmarrë të gjitha veprimet inkriminuese, duke kryer vepër penale vrasje i rëndë nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ishte përgatitur dhe ishte pajisur me armë zjarri dhe ditën kritike kur e ka parë viktimën, ka shtënë në drejtim të viktimës me qëllim që vetëm ta privojë nga jeta, duke rrezikuar edhe personat pjesëmarrës në komunikacion, pasi që i pandehuri ka shtënë në drejtim të viktimës në vend të frekuentuar me shumë njerëz. Në rastin konkret, nuk qëndron pretendimi i të pandehurit se e ka privuar nga jeta viktimën vetëm për shkak të faktit se është frikësuar se po e vret, për shkak se i pandehuri në ditën kritike ka parë që viktima nuk ka me vete ndonjë armë apo mjet tjetër të përshtatshëm për ta privuar nga jeta. Edhe një herë, duke marrë parasysh të gjitha këto prova, bazuar si më lart, i propozojmë gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat penale për të cilat ngarkohet sipas aktakuzës. Të njëjtin edhe ta dënojë sipas ligjit, duke marrë parasysh rrethanat lehtësuese nëse gjen gjykata, ndërsa si rrethana rënduese i propozoj gjykatës që të ketë parasysh: shkallën e lartë të pjesëmarrjes dhe dashjen në kryerjen e vepës penale, moshën e re të viktimës, shkallën e dëmit të shkaktuar që është vdekja e viktimës, dhe dëmit që i ka shkaktuar familjes së tij“, tha Bajrami.
Mbrojtësi i viktimave, Ensar Suma, kërkoi nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor dhe dënimi ndaj tij të jetë në përputhje me pasojat e shkaktuara nga rasti.
“I propozojmë gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor, dhe dënimi i shqiptuar t'i përgjigjet edhe pasojave të larta që ka shkaktuar, por njëkohësisht edhe të dërgojë një mesazh tek opinioni i gjerë publik për forcimin dhe detyrimin për respektimin e ligjit“, tha Suma.
Nga ana tjetër, avokatja Fatmire Braha, mbrojtëse e të pandehurit Bleon Dibrani, kërkoi nga gjykata që gjatë vendimmarrjes të merren parasysh si rrethana lehtësuese mosha e re e të akuzuarit dhe fakti se ai më parë nuk kishte pasur probleme me ligjin.
“Viktima ka qenë në automjet së bashku me dy shokë të tij, sa e ka parë të dyshuarin ka dalë nga vetura dhe është nisur në drejtim të tij duke vrapuar me shpejtësi dhe me duar në xhepa. Pra, këto rrethana tek i pandehuri, pra i mbrojturi im ka krijuar frikë dhe pasiguri, ku edhe e ka nxjerrë armën dhe ka shtënë. Gjithçka që ka ndodhur ka qenë e momentit dhe nga frika. Andaj edhe i propozojmë gjykatës që në rastin e vendosjes të merr si rrethana lehtësuese moshën e të mbrojturit tim, që është ka qenë ndërkohë vetëm 19 vjeç. Kurrë më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin, është rasti i parë që ka rënë ndesh me ligjin. Por t'i ketë parasysh edhe dëshmitë e dëshmitarëve dhe provat materiale që gjenden në shkresat e lëndës“, tha Braha.
Aktgjykimi ndaj të pandehurit Bleon Dibrani pritet të shpallet të hënën.