FIFA refuzon të sanksionojë trajnerin e Egjiptit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
FIFA refuzon të sanksionojë trajnerin e Egjiptit
egjipti-palestina
07/07/2026 - 15:21
Linku u kopjua

FIFA ka vendosur të mos ndërmarrë masa disiplinore ndaj trajnerit të Kombëtares së Egjiptit, Hossam Hassan, pas festimit të tij me flamurin palestinez pas fitores ndaj Australisë në Kupën e Botës.

Vendimi i shtëpisë më të madhe të futbollit në botë ka shkaktuar reagime në Izrael, ku është kritikuar mosndëshkimi i trajnerit egjiptian. Gazeta izraelite “Israel Hayom” e ka cilësuar këtë vendim si një pengesë për përpjekjet për të kërkuar masa disiplinore ndaj Hassanit.

Incidenti ndodhi pas ndeshjes së 1/8 së finales, ku Egjipti mposhti Australinë. Në momentet e festës në fushë, Hossam Hassan u shfaq duke mbajtur një flamur palestinez dhe deklaroi: “Zemra dhe shpirti im janë me palestinezët”, duke ia kushtuar suksesin popullit egjiptian dhe atij palestinez.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, FIFA ka sqaruar se mbajtja e flamurit palestinez nuk përbën shkelje të rregullave të turneut, pasi Palestina është një nga 211 asociacionet anëtare të organizatës.

“Flamujt e të gjitha asociacioneve anëtare të FIFA-s lejohen në garat e organizuara nga FIFA”, ka bërë të ditur institucioni qeverisës i futbollit, duke hedhur poshtë pretendimet se veprimi i trajnerit egjiptian përbënte një demonstratë të ndaluar politike.

Për pasojë, ndaj Hossam Hassan nuk është hapur asnjë procedurë disiplinore dhe ai pritet të vazhdojë të drejtojë Egjiptin në pjesën e mbetur të Kampionatit Botëror.

Mediat izraelite e kanë krahasuar këtë rast me vendimin e mëhershëm të FIFA-s për ndalimin e përdorimit të flamurit të Iranit para vitit 1979 gjatë turneut, duke theksuar se organizata bën dallim mes simboleve të asociacioneve të njohura anëtare dhe atyre që nuk përfshihen në rregulloret e saj.

Vendimi i FIFA-s ka rihapur debatin për raportin mes sportit dhe shprehjeve politike, ndërsa reagimet kanë qenë të ndara mes përkrahësve dhe kritikëve të këtij qëndrimi.

 KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026