Slavko Vinčić është emëruar nga FIFA për të drejtuar finalen e Kupës së Botës 2026 ndërmjet Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin "New York New Jersey". Me këtë emërim, 46-vjeçari nga Maribori bëhet arbitri i parë slloven që gjykon një finale të Kupës së Botës dhe i 23-ti në histori që merr këtë përgjegjësi.
Vinčić e përshkroi përzgjedhjen si një "ndear të jashtëzakonshëm", duke thënë se realizon ëndrrën e çdo arbitri. Ai theksoi se ky sukses është fryt i punës së përbashkët me ekipin e tij të arbitrave, veçanërisht me ndihmësit Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič, të cilëve u atribuoi një pjesë të madhe të meritave.
Kryetari i Komitetit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, tha se përzgjedhja e Vinčić u bazua kryesisht në paraqitjet e tij gjatë gjithë turneut. Sipas tij, performanca e vazhdueshme dhe cilësia e gjykimit ishin faktorët vendimtarë për emërimin në ndeshjen më të rëndësishme të kampionatit.
Në finale, Vinčić do të ndihmohet nga Tomaž Klančnik dhe Andraž Kovačič, ndërsa jordanezi Adham Makhadmeh do të jetë gjyqtari i katërt dhe Mohammad Al-Kalaf ndihmës rezervë. Në dhomën e VAR-it do të jetë gjermani Bastian Dankert, i asistuar nga kolumbiani Nicolás Gallo dhe Khamis Al Marri nga Katari.