Fermerët kanë korrur e vjelur disa prej prodhimeve bujqësore për këtë vit, por ende nuk i kanë marrë subvencionet, pagesat direkte financiare nga Ministria e Bujqësisë, raporton KosovaPress.
Ndonëse, me vonesë krahasuar me vitin e kaluar, disa fermerë kanë nisur t’i pranojnë këto ditë vendimet nga Ministria e Bujqësisë për këtë mbështetje financiare.
Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave.
Fermeri nga fshati Suhadoll i Lipjanit, Valon Vehapi, vlerëson se një nga vështirësitë kryesore për bujqit është vonesa në shpërndarjen e subvencioneve. Ai thekson se këto mjete duhet të lëshohen në kohë, siç thotë ai më së largu në mes të shtatorit, në mënyrë që fermerët të kenë mundësi të përgatiten për mbjelljet e vjeshtës.
Ai paralajmëron se nëse subvencionet nuk dalin në kohë, një pjesë e madhe e tokave mund të mbeten të papunuara.
Edhe fermeri Bunjamin Jashanica shpreh nevojën që subvencionet të shpërndahen më herët, duke theksuar se vonesat e vitit të kaluar kanë krijuar vështirësi në përgatitjet për sezonin e punës bujqësore.
Jashanica i cili këtë verë vit korri rreth 25 hektarë me grurë, tregon se mjetet përdoren kryesisht për blerjen e naftës, plehrave dhe farës, të cilat kërkojnë pagesë të menjëhershme.
Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Ministria e Bujqësisë, përkatësisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), bën të ditur se vonesat në procesin e këtij viti janë rezultat i nisjes së thirrjes për aplikim më vonë se zakonisht.
AZHB-ja njofton se janë shtypur mbi 10 mijë vendime nga afro 34 mijë aplikues, derisa vlera totale arrin rreth 17 milionë euro.
“Ju njoftojmë se procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20.07.2025 dhe është duke vazhduar. Deri më tani për gjithsej 33,781 aplikues, janë shtypur 10,240 vendime në një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 17 milionë Euro. Pritet që këto pagesa të ekzekutohen së shpejti, ndërkohë që aplikimet e mbetura janë në fazën e kontrollit administrativ ose të kontrollit në terren. Arsyeja pse këtë vit jemi me vonesë përafërsisht 20 ditë kalendarike, qëndron se këtë vit thirrja për aplikim ka filluar gati me një muaj vonesë krahasuar me vitin e kaluar”, thonë nga AZHB-ja për KosovaPress.


