Fushata e korrje-shirjes së grurit po vazhdon në gjithë vendin. Ky sezon po konsiderohet se ka sjellë rendimente të larta të grurit, por nuk është arritur ende niveli i dëshiruar për plotësimin e të gjitha nevojave për konsum të brendshëm. Për dallim nga viti i kaluar, fermerët këtë vit janë të zhgënjyer me çmimin e ulët të shitjës së grurit. E përveç kësaj, ata ende nuk kanë marrë subvencionet për këtë vit nga Ministria e Bujqësisë, raporton KosovaPress.
Fermeri Hamdi Mazreku nga Rahoveci thekson për KosovaPress se edhe pse rendimenti i grurit për këtë vit është i kënaqshëm, çmimet e ulëta të shitjes po ua bëjnë të vështirë përfitimin e qëndrueshëm në bujqësi.
Po ashtu ai thekson se Ministria e Bujqësisë ende nuk i ka ekzekutuar mjetet financuare për subvencione.
Të njëjtin mendim ka edhe një fermer nga Podujeva, i cili këto ditë po e bënë edhe punën e autokombajnerit në Rahovec.
Fermeri Malësor Sejdiu kërkon nga Minsitria e Bujqësisëqë t’u dalë në ndihmë fermerëve për kompensimin e tyre, të cilëve iu dogj “buka”.
Gjithashtu, Sejdiu ka theksuar se këtë vit ende nuk kanë marrë subvencionet e as nuk janë vizituar nga Ministria e Bujqësisë për koktrollin e parcelave.
Ndërsa, ekspertët kërkojnë nga institucionet përkatëse një reagim të menjëhershëm për të siguruar që fermerët të marrin çmimin e drejtë dhe ndihmën që u takon, në mënyrë që të mbrohet prodhimi vendor dhe siguria ushqimore e vendit.
Profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci ka thënë se këtë vit ka më shumë sipërfaqe kultivuese me grurë, por të pamjaftueshme për nevojat që ka Kosova për konsum.
Ndërsa, nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë për KosovaPress se këtë vit sipërfaqja e mbjellë me grurë për të cilën kanë aplikuar është gjithsejt shtatëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tre (74,753.06) hektarë, ndërsa në vitin 2024 kanë qenë pesëdhjetë e tremijë e gjashtëqind e njëzet e shtatë (53,627.26) hektarë pra krahasuar me vitin e kaluar kemi rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë për 21,125.80 ha.
Ndërkaq, sipas kësaj ministrie, plotësimi i nevojave me grurë varet nga disa faktor, si nevojat ushqyese me grurë për kokë banori për një vit, numri i popullsisë, rendimenti mesatar dhe sasia e përgjithshme e grurit të prodhuar.
Gruri, si lëndë e parë për prodhimin e miellit, konsiderohet një produkt strategjik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Ekspertë të bujqësisë bëjnë thirrje për të gjithë fermerët që mos t’i djegin hamulloret pasi që sipas tyre, mund të shfaqin fatkeqësi të mëdha me zjarre.