Ferizaj kampione e Kosovës U20 në volejboll për vajza
Sport
Lexohet për: 1 min.
Dëgjoje me zë...
Ferizaj kampione e Kosovës U20 në volejboll për vajza
KV Ferizaj është shpallur kampione e Kosovës në volejboll për vajza në kategorinë U20, pasi të mërkurën mbrëma e mposhti Prishtina Elite me rezultat 3:1 në finale.
Skuadra ferizajase dominoi në dy setet e para, duke i fituar ato me rezultat 25:14 dhe 25:20. Prishtina Elite reagoi në setin e tretë, ku pas një gare të fortë arriti të triumfojë 27:25 dhe ta mbajë të hapur ndeshjen.
Megjithatë, në setin e katërt, Ferizaj riktheu kontrollin e lojës dhe e mbylli takimin me fitore 25:15, për rezultatin përfundimtar 3:1 në sete (25:14, 25:20, 25:27, 25:15).
Pas përfundimit të finales, të dyja ekipet u nderuan me medalje për suksesin e arritur gjatë kampionatit, ndërsa kupën e kampionit për KV Ferizaj e dorëzoi nënkryetarja e Federatës së Volejbollit të Kosovës, Emine Ramadani Reka.
Federata e Volejbollit e Kosovës përgëzoi klubin nga Ferizaj për titullin e fituar, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e lojtareve, stafit teknik dhe klubit gjatë gjithë kampionatit.
KosovaPress